Vdes regjisori i talentuar Bekim Lumi

Prishtinë, 30 korrik 2018 – Ka vdekur regjisori i njohur kosovar Bekim Lumi.

Lajmin e ka konfirmuar në rrjetin social edhe dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj.

“Rest In Peace, Bekim Lumi”, ka shkruar ai.

Regjisori dhe profesori i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë.

Bekim Lumi ishte njëri prej regjisorëve më të talentuar të Kosovës. Ai njihej për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental.

Ai i ka realizuar shumë shfaqje me tekste të dramaturgëve më të mëdhenj botërorë dhe disa shfaqje me tekste të përshtatura apo të plotësuara me elemente të traditës shqiptare.

Shekspiri, Ionesku, Lorka, Mrozheku e Çehovi kanë qenë autorët e tij më të preferuar. Ai ka realizuar shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në Teatrin Laborator “Loja”.

Lumi e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme.

Shfaqja “Këmisha e gjakut”, e bazuar në tragjeditë “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të Shekspirit dhe në disa tekste të Kanunit të Lekë Dukagjinit) si edhe shfaqja “Çifti Martin” me tekst të Eugen Ioneskut kanë qenë dy nga shfaqjet e tij më të vlerësuara në festivaler e rajonit dhe në festivalet europiane

Komuniteti i artistëve në Kosovë ka shprehur dhembje e pikëllim për regjisorin Lumi. Miqt e kolegët do ta kujtojnë përmes veprës që la prapa ai.

“Edhe kur ndërron jetë Lumi, ai përsëri mbetet i pandalshëm! Pusho në paqe, Miku im i shtrenjtë!”, ka shkruar në Facebook dramaturgu e kritiku i teatrit, Arian Krasniqi.

“Bekim Lumi, përmes artit të tij mjeshtëror, ka krijuar shumë personazhe, dhe na ka bërë të qeshim e të qajmë. Na ka mërzitë e dalldisë. Na ka prekë ndërgjegjen, sa herë e kemi patur të fjetur. Na ka dhënë kurajo, sa herë kemi qenë të dëshpëruar. Na ka treguar rrugën e lirisë, sa herë kemi qenë të hutuar. Na ka shfaqë shumë dashuri, sa herë na ka mbuluar mjegulla e urrejtës”, ka shkruar shkrimtari Ndue Ukaj.

Autoritetet shtetërore e publike i kanë shprehur ngushëllime familjes Lumi dhe komunitetit të artistëve.

Presidenti Hashim Thaçi e ka vlerësuar lart kontributin e Bekim Lumit për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj.

“I dhimbshëm lajmi për vdekjen e parakohshme të mikut tim, Bekim Lumi. Si artist e si regjisor, Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj. Ngushëllime familjes Lumi dhe të gjithë artistëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se vdekja e hershme e Bekim Lumit do të lë zbrazëti në jetkulturore dhe në shoqërinë tonë.

“Pikëllues lajmi për kalimin në amshim të regjisorit Bekim Lumi, ndër më të veçantët në artin skenik të Kosovës. Ikja e hershme e Lumit ka lënë një zbraztësi të madhe në familje, shoqëri dhe sidomos në artin e regjisë. Ai nuk reshti për tre dekada me radhë t’i jepte vulën e tij origjinale artit dramatik të Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes Lumi, të gjithë atyre artistëve që punuan më të si dhe miqve të shumtë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. (r.m.)

Comment

*