Vdiq albanologu i shquar Shaban Demiraj

Tiranë, Prishtinë, 30 gusht 2014 – Albanologu i shquar, profesor Shaban Demiraj, ka ndërruar jetë sot, në moshën 94-vjeçare, njoftoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në nderim të figurës dhe veprës së tij, nesër (e diel) nga ora 11:00 deri në orën 12:00 do të organizohen homazhe, në sallën “Aleks BUDA”, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Pas homazheve, në oborrin e Akademisë së Shkencave, do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës. Më pas do të përcillet për në banesën e fundit,në varrezat e Sharrës, në Tiranë.

Profesor Demiraj është figurë e njohur për shkencat e gjuhësisë në Ballkan e Evropë dhe ka lënë një opus të gjerë studimesh e trajtesazh shkencore nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Ai konsiderohet si njëri ndër pionierët e studimeve nga fusha e historisë së gjuhës shqipe dhe dhe etnogjenezës.

Prej disa vitesh profesor Demiraj ishte tërhequr nga çdo aktivitet publik, por edhe shkencor, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

 

* * *

Shaban Demiraj lindi në Vlorë më 1 janar 1920. Shkollën e mesme (medresenë) e kreu në Tiranë. Studimet e larta i kreu në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955).

Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension.

Në vitet 1962-1989 ishte përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe, kurse në periudhën 1962-1966 ishte zv.dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Ai ishte njëri prej pedagogëve që ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të qenësishëm lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispenca e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, etj.

Demiraj ka shkruar mjaft vepra për gjuhën shqipe, ndër të cila 8 monografi, studime për fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën historike të gjuhës shqipe. Ai është figurë e njohur për shkencat e gjuhësisë në Ballkan e Evropë.

Një ndër veprat e tij më të rëndësishme konsiderohet Gramatika historike e gjuhës shqipe, në të cilën trajtohen [ështje e tipare të ndryshme të strukturës gramatikore të shqipes.

Ka qenë edhe bashkautor dhe redaktor i veprës madhore Gramatikë e gjuhës shqipe, vëllimi I, Morfologjia, (1976, ribotuar 1995, 2002), parathënia dhe kreu për foljen.

Profesor Demiraj ishte nderuar me tituj të lartë shkencorë dhe me tituj nderi, për kontributin e tij në fushën e arsimit e të shkencës. Prej vitit 1989 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kurse një mandate ishte kryetar i kësaj akademie (1993-1997).

Ai ishte edhe anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Evropës Qendror, anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës, etj. (r.m.)

 

Comment

*