Vdiq Emanuele FERRARIO, “Apostulli i Marisë” (1930 – 2020)

Don Lush Gjergji

Sot, më 11 korrik 2020, ditën ë Shën Benediktit abat, Pajtorit të Evropës, në Erba të Italisë, është varrimi familjar i të ndjerit Emanuele Ferrario.
Kush ishte ai dhe çka ka bërë që të quhet dhe të jetë “Apostulli i Marisë”?
Lindi më 11 mars 1930 në Busto Arsizio të Varezës, në Itali, nga prindërit Pjetri dhe Pjera. Qysh në fëmijëri dallohej për përshpirtëri mariane dhe zgjuartësi. Ishte ministrat i rregulltë në famulli, pjesëmarrës në veprimtaritë e Oratorit, me përkushtim dhe kënaqësi dhe shpirt për veprimtari dhe gjallëri.
Shumë mendonin se do t’i kushtohej Zotit në meshtari. Mirëpo Zoti e kishte ftuar që të jetë shekullar, familjar, katolik i dalluar dhe angazhuar në shumë lëmi të jetës së krishterë.
Në vitin 1948 diplomohet në shkencat financiare dhe e filloi punën në Vareze. Martohet me Anën, me të cilën kishte katër fëmijë. Gruaja vdiq prej kancerit në vitin 1984. Në këtë viti ai kishte vizituar Megjugoren në Hercegovinë, me dëshirë që Radios së famullisë Erba t’ia jepnin emrin “Radio Maria”.
Dy vite më vonë, në vitin 1986, flitej për një radio, mundësisht me këtë emërtim. Në vitin 1987 themelohet Radio Maria e Erbës, me atë Livion, “duetin e Zotit dhe të Marisë”, siç i quanin shumë njerëz, që si President kishte Emanuele Farrari-n. Këtë detyrë, që e kishte jetësuar dhe zbatuar me shumë përkushtim, kishte vazhduar me vrull, vullnet, entuziazëm, fe dhe dashuri të jashtëzakonshme, deri në vitin 2016. Kjo edhe ishte “kryvepra e Zotit” në Emanuelin – Zoti me ne, si thotë edhe vetë emri i tij, me takime. Vizita, veprimtari kudo në botë.
Thoshte: “Për Marinë, nëpërmjet Radio Marisë, jam i gatshëm për çdo flijim dhe dhurim… Jam tejet i lumtur, se jetoj me Zotin, Marinë, Kishën Katolike”.
Së bashku me atë Livio Fanzaga ishte shpirti dhe zemra e kësaj Radio, e cila së shpejti përhapej në botë. Në vitin 1998 Word Family of Radio Maria, si organizatë OJQ, sot është e pranishme dhe bashkon 81 radio në botë në 74 vende dhe shtete, ndër të cilat është edhe Shqipëria, tashmë vite të tëra, dhe Kosova, në vitin e gjashtë të pranisë dhe veprimtarisë.
Çka të themi për këtë Njeri? Ishte besimtar i bindur, me fe të fortë, shpresë të gjallë dhe dashuri të madhe, shumë konkrete dhe vepruese. Nga goja, zemra, sytë, fytyra, fjala, shkrimi, sjellja, jeta e tij, gjithnjë tingëllonte fjala e ëmbël: Virgjëra Mari!
Unë pata rastin, vërtet edhe hirin e Zotit, ta njohja për së afërmi dhe të bashkëpunoja me Të në disa raste: Në Kosovë, gjatë vizitës së tij për themelimin e RMK-së dhe nisjen dhe vazhdimin e programeve tona, pastaj në Takimin Botëror të RM në Collevalenza, në Budapest, në Bruxelles…
Kudo dhe kurdo, përjetova gjëra të bukura dhe të paharrueshme, dëshirën, vullnetin, bindje që zëri i Marisë, Nënë dhe Mësuese, duhet të përhapet dhe dëgjohet kudo në botë. Më thoshte kështu: “Don Lush, mos e harro kurrë këtë të vërtetë: vetëm Maria do ta shpëtojë Kishën dhe botën, kuptohet, nëpërmjet Jezu Krishtit!”.
I kuptonte fare mirë hallet, vështirësitë, mospërvojën tonë, baticat dhe zbaticat, që kurrë nuk mbaronin. Gjatë një bisede më tha: “Ku ka vështirësi, kryqe të mëdhaja, aty do të ketë edhe shumë hire. Djalli mundohet ta pengojë planin dhe punën e Zotit, por Mari do të ngadhënjejë!”.
Sot, në ditën e varrimit të tij familjar në Erba, e kujtoj me shumë nderim, falënderim, mallë dhe dashuri. Meshën shenjte e paraqes për shpirtin e tij të thjeshtë dhe shumë të bardhë.
Maria, të cilën e deshi aq shumë, dhe zërin e saj e përhapi në mbarë botën, edhe ndër Shqiptarë, e pranoftë te Biri i saj, Jezusi i ngjallur, në amshim të lumtur.
Emanuel i dashur, shijoje paqen dhe lumturinë e Parajsës, për të cilën jetove dhe veprove kaq bindshëm, dhe mos na harro: na kujto dhe ndërmjetëso te Zoti për Radio Marinë botërore, ndër të cilat janë edhe dy “bija” të vogla: Radio Maria e Shqipërisë dhe Radio Maria e Kosovës! Amen.

Prishtinë, 11 korrik 2020.

Don Lush GJERGJI

Comment

*