Vdiq ish komandanti i kroatëve të Bosnjës që e piu helmin në gjykatë

Hagë, 29 nëntor 2017 – Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi, në Hagë, konfirmoi se komandanti i forcave të kroatëve gjatë luftës së Bosnjës, Slobodan Praljak, vdiq pasi piu helmin në seancën ku u hodh poshtë ankesa e tij kundër vendimit ndaj tij.

Slobodan Praljak, 72 vjeçar, piu nga një shishe e vogël në çastin që gjykata kuptoi se mbetet në fuqi dënimi i tij me 20 vjet heqje lirie për krime lufte ndaj myslimanëve boshnjak.

“Unë nuk jam kriminel lufte. Unë e kundërshtoj këtë dënim”, tha Praljak pasi e piu lëngun e një shishje të vogël, për të cilin avokatja e tij tha se ishte helm.

Praljak vdiq më pas në një spital të Hagës.

Slobodan Paraljak dhe pesë të auzuar të tjerë e kishin apeluar vendimin e gjykatës të vitit 2013 që i dënonte ata me burg prej 10 deri në 25 vjet. Jadranko Përliq, Bruno Stojiq, Slobodan Praljak, Milivoj Petkoviq, Valentin Coriq dhe Berislav Pusiq qenë dënuar për 26 akuza për përfshirje në një plan për dëbimin e përhershëm të myslimanëve të Bosnjës dhe për krijimin e “një territori kroat” që do të përfshinte edhe qytetin jugor të Mostarit.

Akuzat përfshinin krime të vrasjeve, torturave, dëbimeve, përdhunimeve, trajtimeve çnjerëzore, shkatërrimit të pronës dhe terrorizimit të popullsisë.

Seanca e sotme e Gjykatës së Hagës u mbajt një javë pasi kjo gjykatë e dënoi me burgim të përjetshëm ish komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq, në akuzar për gjenocid, për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

Mbi 100 mijë vetë janë vrarë dhe mbi 2 milionëjanëu zhvendosur gjatë luftës në Bosnjë.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993, gjatë kohës së luftës së Bosnjës. Ajo e pwrfundon punwn mw 31 dhjetor tw këtij viti. Ajo është gjykata e parë për krime lufte, pas gjykatës ushtarake të Nurembergut, në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Kjo gjykatë ka ngritur akuza ndaj 161 vetave, 83 prej të cilëve janë dënuar. Në mars të vitit 2016-të, kjo gjykatë e ka shpallur fajtor shefin politik të Ratko Mladiqit, Radovan Karaxhiq, i cili është dënuar me 40 vjet heqje lirie, nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, është akuzuar në vitin 1999 në kohën e luftës në Kosovë dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Ai ka vdekur në vitin 2006, në Qendrën e Paraburgimit, derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*