Vdiq në moshë të re regjisorja kosovare Arzana Kraja

Prishtinë, 13 nëntor 2019 – Regjisorja kosovare Arzana Kraja ka vdekur të mërkurën në mëngjes, në Prishtinë.

Të afërm dhe kolegë të saj bënë të ditur se ajo ka vuajtur nga sëmundja e epilepsisë, por askush nuk e ka pritur vdekjen e saj kaq të hershme.

Arzana Kraja i përket plejadës së kineastëve të rinj të Kosovës. Ajo ka qenë skenariste dhe regjisore e disa filmave shumë të suksesshëm, midis të cilëve janë vlerësuar veçanërisht filmat artistikë: “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”, filmi dokumentar “Sahatkulla”, e të tjerë. Ajo është vlerësuar e nderuar me shumë çmime në disa festivale ndërkombëtare të filmit.

Ajo ka qenë edhe bashkëskenariste dhe regjisore e serialit televiziv “Kafeneja jonë”, i cili ka qenë njëri ndë serialet më të shikuara në Kosovë.

Arzana Kraja është vajza e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Komuniteti artistik në Kosovë dhe miqtë e kolekët e saj kanë shprehur pikëllim të thellë pë vdekjen e parakohshme të Krajës.

Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shprehur pikëllim të thellë, e ka vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e konematografisë.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja. Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, thuhej mes tjerash në postimin e kësaj qendre.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ngushëlluar familjen Kraja dhe komunitetin e kineaste për vdekjen e Arzana Krajës. Ai e ka quajtur të trishtë për vdekjen e hershme të saj.

“Vdekja e regjisores Arzana Kraja është lajm i trisht për të gjithë ne. Ajo i dha shumë kinematografisë sonë me talentin e saj dhe ishte shumë e re për t’u ndarë nga jeta. Ngushëllime familjes Kraja, miqve të Arzanës dhe gjithë komunitetit artistik dhe kulturor në vendin tonë”, ka shkruar Thaçi në një postim në Facebook.

Edhe kryeministri në detyrë,  Ramush Haradinaj, u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve e kolegëve të regjisores Kraja.

“I prekur thellë nga ndarja e parakohshme nga jeta e Arzana Krajës. Pata nderin ta njihja personalisht. Arzana, me artin e saj i dha shumë Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të artit. Prehu e qetë Arzana!”, ka shkruar Haradinaj.

(r.m.)

Comment

*