Vdiq Richard Pipes, historiani ndryshe i Rusisë dhe ndihmës i Presidentit Reagan

Nga William Grimes, “The New York Times”

Harvard, 1959

Richard Pipes, autor i një serie monumentale dhe mprehtësisht polemike veprash mbi Revolucionin Rus dhe regjimin Bolshevik, si dhe këshilltari kryesor i Administratës Reagan për politikën ndaj Sovietikëve dhe Europës Lindore, vdiq ditën e enjte në një qendër kurimi për të moshuarit afër shtëpisë së tij në Cambridge, Massachusetts. Ishte 94 vjeç.
Djali i tij Pipes konfirmoi vdekjen.
Profesor Pipes, i cili shpenzoi gjithë karierën e tij akademike në Harvard, zuri një vend në radhën e parë të historianëve të Rusisë me botimin “Rusia nën regjimin e vjetër”, në 1974. Mirëpo, ai bëri shumë më tepër emër si një intelektual publik, thellësisht skeptic ndaj politikës amerikane të detantës me Bashkimin Sovietik.
Në 1976, ai udhëhoqi një grup ekspertësh të fushave ushtarake dhe politikës së jashtme, të njohur si Ekipi B, që formuloi një analizë shumë pesimiste të strategjisë ushtarake dhe politikës së jashtme sovietike. Ky raport i grupit, i porositur nga Agjensia Qendrore e Informacionit (CIA) si një kundërpeshë ndaj një analize të prodhuar nga ekspertët e vetë CIA-s, (Ekipi A) ndihmoi në glavanizimin e opozitës konservatore ndaj bisedimeve për pakësimin e armëve dhe për bashkëekzistencën me Bashkimin Sovietik. Dhe krijoi kushtet për politikën e Ronald Reagan që sfidonte politikën e jashtme sovietike duke u përpjekur për të sabotuar kontrollin sovietik mbi Europën Lindore.
Ndërkohë që shkruante histori ambicioze për Revolucionin Rus dhe regjimin Bolshevik, Profesor Pipes vazhdoi fushatën e tij për një politikë të jashtme më të ashpër ndaj Bashkimit Sovietik në fund të viteve 1970 si anëtar i Komitetit për Rrezikun e Pranishëm dhe si drejtor i Çështjeve Sovietike dhe EuroLindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Reagan.
Megjithë këtë rol publik ai e konsideronte vetën në radhë të parë dhe kryesisht si historian të historisë, politikës dhe kulturës ruse, një fushë ku u shqua shumë. Një shkrimtar me stilt ë tijin dhe prozë të fortë, Prof. Pipes mbuloi gati 600 vjet të të kaluarës ruse, në librin “Rusia nën regjimin e vjetër”, duke braktisur kronologjinë dhe duke e trajtuar subjektin e tij sipas temave, si fshatarësia, kisha, makineria e shtetit dhe intelektualët.
Një nga kontributet e tij më origjinale ka qenë shpjegimi e i shumë prej problemeve të Rusisë me dështimin e saj për të dalë nga statusi i “shtetit patrimonial”, një term që e mori hua nga Max Weber për të karakterizuar absolutizmin rus, në të cilin cari jo vetëm që zotëronte mbretërinë e tij, po edhe çdo send dhe çdo banor ishin pronë e tij, duke asgjësuar kështu konceptet e pronës private dhe lirisë individuale.
Me librin “Revolucioni Rus” (1990), Profesor Pipes vuri në shënjestër me një goditje ballore shumë prej premisave të bindeve të vjetra të specialistëve kryesorë perëndimorë për marrjen e pushtetit nga bolshevikët. Libri, i cili fillon me një epigram të thjeshtë rus: “Për viktimat” mori një qendrim gati prej prokurori ndaj bolshevikëve dhe udhëheqësit të tyre Vladimir Leninit, i cili ende gëzonte një lloj respekti dhe simpatie mes historianëve perëndimorë.
Profesor Pipes, një moralist që ishte formuar nga përvoja e tij si hebre që arriti të shpëtojë prej pushtimit nazist të Polonisë, refuzonte këtë kompromis për Leninin. Ai e paraqiti Partinë bolshevike si një klikë komplotiste, thellësisht të urryer nga populli dhe jo si kreun e një lëvizje masash. Ai e akuzoi Leninin se kishte shtruar themelin e një shteti terrorist të cilin pasardhësi i tij, Stalini vetëm sa e përsosi.
Me rënien e Bashkimit Sovietik, Profesor Pipes doli në pah si një nga historianët më të preferuar në Rusi, që ishte interesante sepse historianët sovietikë e kishin sulmuar shumë gjatë gjithë karrierës së tij.
Nga ana tjetër, ai urrehej nga e majta në SHBA. “Ata që më vunë noflën ‘luftëtar i ftohtë’, kujtonin se do të më preknin në sedër. Mirëpo unë e pranove ‘titullin’ me krenari”, shkroi ai në “Vixi: Kujtimet e një të jashtmi” (2003).
Ai u lind si Ryszard Edgar Pipes në 11 korrik 1923, në Cieszyn, Poloni, ku babai, Marek, administronte një fabrikë çokollatash, kurse mamaja Sara Sofia (Haskelberg) Pipes, ishte shtëpiake. Familja që lëvizi nga Krakova në Varshavë, fliste gjermanisht në shtëpi dhe polonisht në shoqëri.
Në 1939, pak pasi trupat gjermane hynë në Varshavë, familja Pipes u arratis në Itali, me pasaporta fallco. Mbërritën në SHBA një vit më vonë.
Ai u diplomua në Cornell dhe mbaroi doktoratën në histori, në Harvard, në 1950.
Ai besonte se shkrimi i historisë përballej me pyetje themelore folozofike dhe morale.
“Sepse debate nuk është vetëm për çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, shkruante ai, “por edhe se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

Me Presidentin Bush Sr.

Me prindërit duke mërritur në SHBA, në 1940.

Comment

*