Vdiq shkrimtari e publicisti Ramadan Musliu

Ramadan Musliu ishte njeri me integritet shumë të lartë etik e profesional dhe me shije të hollë estetike. Ai ishte njeri i hapur për idetë e konceptet e reja dhe kundërshtar i ashpër i skemave dhe pikëpamjeve dogmatike. Ishte shumë konsistent në qëndrimet e tij dhe shumë konsekuent në pikëpamjet dhe bindjet e tij.

 

Prishtinë, 22 gtetor 2020 – Ka vdekur shkrimtari e publicisti i shquar Ramadan Musliu. Burime të Illyriapress bëjnë të ditur se i ndjeri Musliu ka vdekur nga pasojat e infeksionit me COVID-19.

Ramadan Musliu ka lindur në Beguncë të komunës së Vitisë, më 31 maj 1954. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në vendlindje e në Viti, ndërsa studimet për Letërsi dhe gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universiteti i Prishtinës, ku i ka mbaruar edhe studimet pasuniveristare.

Pas përfundimit të studimeve, ka punuar mësimdhënës në Qendrën Shkollore “Kuvendi i Lezhës” në Viti. Pas një viti ai ka nisur punën në gazetari. Ai ka punuar në redaksinë e kulturës të gazetës së përditshme “Rilindja“. Në periudhën 1981-1993, ai ka qenë edhe anëtar i redaksisë së Revistës për kulturë, art e letërsi “Fjala”.

Ramadan Musliu ka qenë edhe redaktor i kulturës i botimit të gazetës “Rilindja“ në Tiranë, në periudhën 1993-2004. Gjatë kësaj periudhe e ka drejtuar edhe Shtëpinë botuese “Eurorilindja” në Tiranë. Ai e ka themeluar dhe drejtuar revistën letrare “Kalendari letrar”, e cila botohej në Prishtinë.

Pas çlirimit të Kosovës, Musloi është angazhuar edhe në politikë. Ai është zgjedhur deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në legjislacionin e dytë të Kuvendit të Kosovës, prej vitit 2004 deri në vitin 2007.

Një kohë ka qenë këshilltar politik i ministrit të Kulturës në Qeverinë e Kosovës.

Pak kohë më parë ai është emëruar anëtar i Bordit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ramadan Musliu është marrë me letërsi që në moshë të re. Ai i ka botuar pesë vëllime me poezi: “Parodia e trupit” (Prishtinë 1981), “Shqisa e gjashtë” (Prishtinë 1985), “Pasqyra e të rrëfyerit” (Prishtinë 1987, “Kënga e sibilave” (Tiranë 1996), “Në zemrën e gjërave” ” (Prishtinë 2004).

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, rumanisht, slllovenish, serbisht dhe maqedonisht dhe janë prfshir në antologjinë e poezive ndërkombtare për vitin 2010. Ai ka fituar disa çmime për letërsi.

Ramadan Musliu është autor edhe i pesë librave me studime, kritikë letrare e publicistikë: “Mbindërtimi poetik” (Prishtinë 1990), “Konfiguracione narrative” (Tiranë, 1998), “Estetikja e dallueshme” (Prishtinë 2004), “Ekskurs në letërsinë për fëmijë” (Shkup 2010), “Tangjenta letrare” (Prishtinë, 2012), dhe  “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, publicistikë (Tiranë, 1997).

Ramadan Musliu ishte njeri me integritet shumë të lartë etik e profesional dhe me shije të hollë estetike. Ai ishte njeri i hapur për idetë e konceptet e reja dhe kundërshtar i ashpër i skemave dhe pikëpamjeve dogmatike. Ishte shumë konsistent në qëndrimet e tij dhe shumë konsekuent në pikëpamjet dhe bindjet e tij.

Vdekja e Ramadan Musliut lë një zbrazëti të madhe në jetën kulturore e letrare në Kosovë. Autoritetet shtetërore e kulturore të Kosovës e kanë vlerësuar punën dhe kotributin e tij në fushën e informimit, të letërsisë e të kulturës, por edhe në jetën politike e publike.

“Jam thellësisht i tronditur nga kumti i zi i shkuarjes në amshim të poetit, kritikut letrar e publicistit tonë Ramadan Musliu. Përveç veprimtarisë krijuese e studimore, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës, një herë si deputet i Kuvendit të Kosovës, e pastaj si keshilltar i ministrit të Kulturës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe lexuesve të tij të shumtë!”, ka shkruar Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një postim në Facebook.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, tha se vdekja e hershme e Musliur është humbje e madhe për kulturën dhe artin në Kosovë.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të poetit, publicistit, kritikut letrar dhe studiuesit Ramadan Musliu. Kontributi i Ramadan Musliut ishte dhe do të mbetet shumëdimensional. Ai ishte njëri prej kritikëve letrarë më të dalluar të letrave shqipe. Si poet solli poezinë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, e si publicist qe i spikatur dhe me dije të thellë kulturore. Vdekja e tij e hershme është humbje e madhe për kulturën dhe artin në përgjithësi në Kosovë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin kulturor në Kosovë dhe për të gjithë ata që patin rastin ta njohin”, thuhet në mesazhin e Dumoshit.

Shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se kultura në Kosovë mbetet pa një intelektual të madh, kurse ai e humbi mikun e tij dhe redaktorin e veprës së tij.

“Lamtumirë miku im, Ramadan Musliu. Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh. Ndërsa vepra ime mbeti pa redaktorin dhe mentorin e fjalës së fundit…”, ka shkruar Buxhovi në Facebook.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*