Vdiq Zbigniew Brzezinski, mbështetës i madh i Kosovës, shkencëtar politik e diplomat

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Polako-amerikani që u bë Këshiltar i Sigurisë Kombëtare për Presidentin Jimmy Carter dhe ndikoi politikën e jashtme amerikane për gati 60 vjet

 

Vdiq mbrëmë, në moshën 89-vjeçare, Zbigniew Brzezinski, një nga figurat me ndikim masiv në politikën e jashtme amerikane, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë.
Polako-amerikani që u bë Këshiltar i Sigurisë Kombëtare për Presidentin Jimmy Carter, ishte mentor i Madeleine Albright që nga koha kur ishte profesor në Columbia University dhe luajti rol personal që ajo të përparonte në karrierën që do ta bënte një ditë Sekretare Shteti. (Që të dy fëmijë ishin emigrantësh politikë nga Europa Lindore. Madeleine ishte çeke.)

 

* * *
Zbig ColumbiaHistoria ime e preferuar me “Zbigun” është gjatë revoltave studentore në Columbia University, në 1968. Në kohën kur Shqipëria dhe Europa Lindore vuante nën komunizëm, studentët amerikanë u rebeluan në disa prej universiteteve kryesore.
Në New York, ata pushtuan Universitetin e Kolumbias dhe ngritën flamurin e kuq nga dritaret dhe tarracat e tij. Pati përleshje me policinë.
Një nga profesorët e rrallë që nuk ia kishte mbathur në shtëpi ishte Zbig, një anti-komunist i pasionuar. Kur i thanë se studentët ishin mbledhur jashtë dhe po bërtisnin kundër tij, ai zbriti i qetë dhe u doli përpara duke ngrënë një mollë.
I pyeti se çfarë kishin që e shqetësonin dhe duke përfituar që mbetën pa fjalë nga konfrontimi i papritur, u tha, “me që nuk paskeni gjë për të thënë, po kthehem të komplotoj për të realizuar genocidin e radhës”.
Kjo e fundit krijoi pak humor dhe e zbuti situatën. Shumë prej kolegëve të tij, përfshi edhe ata të majtë nuk arrinin ta besonin që kishte qendruar në shkollë në kohën e trazirave.
Një studente e kohës ishte më e interesuar për mësimet e shekncëtarit politik më shumë sesa për protestën e shokëve të saj studentorë. Ajo vetë nuk kthehej dot në atdheun e saj, për shkak të regjimit komunist dhe nuk kishte ndonjë simpati për ndjenjat revolucionare të majta, të shokëve të saj të lindur e rritur në demokracinë amerikane. Emri i saj ishte Madeleine Albright.
Profesori do ta mbante mend mirë emrin e saj dhe do të ndihmonte më vonë që të përparonte si diplomate në Washington DC.

 

Kissinger - Brzezinski

Disa e kanë quajtur përgjigjia e Demokratëve ndaj Henry Kissinger.

* * *

Zbigu kishte urrejtje të madhe për komunizmin. Ndryshe nga shumë prej kolegëve të tij në universitete apo në Partinë Demokrate amerikane, ai nuk kishte asnjë iluzion për Bashkimin Sovietik. Ai hutoi Republikanët kur i denoncoi për dobësi ndaj Bashkimit Sovietik dhe normalizim me diktaturat e kuqe në botë, gjatë presidencave Nixon dhe Ford.
Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, angazhimi i Zbigut në administratën e Carter ishte e vetmja periudhë në të cilën Demokratët ishin më anti-komunistë se sa Republikanët.
Disa e kanë quajtur përgjigjia e Demokratëve ndaj Henry Kissinger.
Të dy i përkisnin një brezi studentësh të shkencave politike, që së bashku me Samuel Huntingtonin studjuan bashkë në Harvard dhe u bënë ndikues madhorë të politikës së jashtme amerikane, shkencave politike, teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, etj.
Shumë flitet për rolin e Papa Gjon Palit II në rënien e komunizmit. Pak e bëjnë lidhjen që si Papa ashtu edhe Brzezinski u lindën në Poloni. Që të dy dolën në skenë në të njëjtën kohë, Vojtila në krye të Kishës Katolike, Brzezinski në krye të politikës së sigurisë amerikane.
Një nga biografët e tij tregon se Brzezinski refuzoi t’ia jepte korrespondencën e tij me Papa Gjon Palin e II. Këtë bashkëpunim do t’ia tregoj vetë historisë, ishte shpjegimi i tij.
Brzezinski mbeti deri në fund një demokrat i vendosur, mirëpo, ndërsa Republikanët rimorën flamurin e antikomunizmit me Ronald Reagan, ndërsa mes Demokratëve filluan mbizotërimet e pacifistëve, polako-amerikani filloi të ndihej i izoluar në partinë e tij. Njëfarësoj, brezi i studentëve të tij, ishte tani forcë e madhe në Partinë Demokrate.
Në zgjedhjet e vitit 1988, ai mbështeti republikanin George HW Bush kundër greko-amerikanit demokrat, Michael Dukakis.
Është interesant se një prej djemve të tij është republikan dhe tjetri demokrat. Vajza Mika Brzezinski është gazetare e njohur. “U rritën në një familje ku debatohej vazhdimisht për politikë”, u “shfajësua”, ai kur e pyetën për angazhimin e fëmijëve në jetën publike.

 

* * *
Papa Gjon Pali II - BrzezinskiZbig ishte një intervencionist. Madeleine Albright dëshmoi se ishte nxënësja e tij kur shndërroi politikën e jashtme të Presidentit Bill Clinton në fund të viteve 1990.
Brzezinski ishte kritik i madh i aministratws Clinton, sepse kishte kërkuar ndërhyje ushtarake kundër Jugosllavisë që nga koha e Luftës në Bosnje. Ai donte veprim kundër Beogradit.
Kur filloi lufta në Kosovë, ai jo vetëm që mbështeti pa mëdyshje ndërhyrjen e NATO-s, por ishte i pari qw bwri thirrje bëri thirrje që Amerika të armatoste e financonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe më vonë, Zbig mbështeti pavarësinë e Kosovës dhe denoncoi pretendimet ruse se Osetia Jugore dhe Abkhazia janë raste të ngjashme me Kosovën.
Autor i shumë librave e artikujve, ai ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme për studjuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare. (Ruben Avxhiu)
(Kureshtarët mund të ndjekin këtu, intervistën e tij me Charlie Rose, në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: https://charlierose.com/videos/18201)

Ndalohet ribotimi pa lejen e autorit

2 Responses to “Vdiq Zbigniew Brzezinski, mbështetës i madh i Kosovës, shkencëtar politik e diplomat”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti USA says:

    Falemnderit Ruben per kete shkrim informativ.
    Deshiroj te shtoj edhe nji hollesi: Gjate viteve te veprimtarise se Z. Brzezinski dhe ardhjes se Papes Gjon Pali i II, te dy polake, ne Amerike kandidat i Partise Demokratike per President ishte Senatori Ed Musky, edhe ai polak. Ky ka qene momenti ma historik per Polonine dhe polaket. Ne udheheqjen e Kishes Katolike dhe te SHBA-se gjindeshin tre polake, nji ngjarje qe nuk do te perseritet . Lavdi popullit polak!

Comment

*