Veliaj dhe Rama vendosin gurin pllakën simbolike të sheshit të ri “Skënderbej”

Në mënyrë simbolike kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vendosën sot pllakën e parë për ndërtimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit.

Sipas kryebahskiakut Veliaj, disa projekte do tëpërfundojnë në muajin Mars.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha nga Bulevardi i ri se në këtë zonë që i shtohet Tiranës do të ketë edhe hotele me pesë yje, por edhe disa seli ambasadash, madje dhe Bashkinë e Tiranës.

Ai i kërkoi kryeministrit Rama që të mendojë edhe zhvendosjen e ministrive në këtë zonë.

“Ka disa data, e para do jetë dita e verës ku do hapim disa nga projektet, Pazarin e ri në 14 mars, parkingjet në sheshin ‘Skënderbej’ edhe këtu në Bulevardin e Ri. Ne pranverë britanikët do na sjellin planin e detajuar vendor. Për të shuar kuriozitetin e hamendësive, Bulevardi i Ri do jetë një hapësirë zhvillimi, ku do të kemi edhe hotelet me 5 yje. Sot kemi një grup ambasadash që duan të zhvendosen këtu. Do i lutesha kryeministrit Edi Rama ta konsiderojë si vend ideal për një seli të ardhshme apo për ministri të ardhshme”.

Dua t’ju kërkoj të gjithëve që jemi këtu, t’u japim një duartrokitje të madhe çdo inxhinieri, çdo punëtori të thjeshtë që ka hedhur djersën e mundin në këtë projekt kaq të madh që do të jetë ndryshimi për Tiranën. Pllakat e para që do vemi unë dhe kryeministri do të jenë simbol i kësaj pune të madhe të këtyre njerëzve”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Sipas kryebashkiakut pllakat e para që vihen sot i venë vulën projekteve të reja të Tiranës.
Këtu punohet dhe do të punohet dhe ka ardhur koha të bëhet dallimi që të shohim, kush punoi dhe kush qëndroi kot”, tha Veliaj duke shigjetuar opozitën me kritikat që ka drejtuar ndaj punëve të Bashkisë.

Rama: Vota sjell ndryshimin. Ju votuat dhe fituat Bulevardin e ri të Tiranës

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij ka theksuar faktin se kur ishte kryebashkiak bëri sa mundi për kryeqytetin, por jo sa dëshironte ai.
“Kur isha kryetar bashkie bëra sa munda jo sa desha, për ta celur rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen, atë që kemi trashëguar me të parën tanë me atë që kemi detyrim t’i lëmë fëmijëve tanë”, tha kryeministri”.

Sipas tij, ndryshimi për brezin që vjen do të jetë në varësi të votës qe jepet sot. Kryeministri tha se vota në drejtimin e duhur sjell investime ndërsa kujtoi se sheshi i ri do të ishte përfituar më parë nëse vota nuk do të jepej në drejtimin e gabuar.

“Dua të them se rëndom ne dëgjojmë se vota s’ka rëndësi. Njerëzit bëjnë gabimin e madh të mendojnë se pavarësisht nëse votoj apo s’votoj në fund të ditës asgjë s’ndryshon se të gjithë janë njësoj. Këtu jemi në një truall që është dëshmia e krejt të kundërtës. Dëshmia e faktit se çfarë njerëzit vendosin me votën e tyre, nëse vendosin për drejtimin e duhur apo për drejtimin e gabuar.

Tirana mund ta kishte pasur këtë bulevard sot, Sheshin Skënderbej sot, por ja që për shkak të votës gjërat nuk shkuan ashtu sic do duhej të shkonin dhe për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe u tërhoq zvarrë.

Por po për shkak të votës Tirana sot është një vend në lëvizje me një shpejtësi të re që nuk e ka pasur asnjëherë.

Falë votës në drejtimin e duhur Tirana do ketë shumë shpejt bulevardin e ri më në fund sheshin e vet, është i vetmi kryeqytet pa shesh në Evropë dhe i vetmi qytet në Shqipëri tanimë që po ndërton në fund sheshin e vet. Këto janë fakte kuptimplota të një të vërtete shumë të thjeshtë se me votën njerëzit vendosin shumë më tepër nga ajo që ata kanë tendencën shpesh të mendojnë jo vetëm në raport me të tërën por edhe me veten e tyre. Se këto vepra s’i shërbejnë thjesht atyre që i përdorin por një zhvillimi shumë më të madh ekonomik dhe social. Do përfitojë më shumë nesër kur të jenë të realizuara”, tha kryeministri.

Comment

*