Veliaj: Nga janari, 70 dokumente në e-kioskë

Mbahet konferenca “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes”, morën pjesë dhjetëra kryetarë bashkish nga rajoni

 Qytetarët e Tiranës do të marrin më lehtë dhe më shpejt dokumentet zyrtare që u nevojiten. Duke filluar nga janari, Bashkia e Tiranës do të lëshojë rreth 70 dokumente në një e-kioskë, ku qytetarët, ashtu sikurse veprojnë në një bankomat, do të mund të printojnë dokumentet e tyre zyrtare pa pritur në radhë dhe duke rritur në këtë mënyrë edhe transparencën. I pranishëm në konferencën e parë rajonale me temë “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes” të organizuar nga PNUD, ku morën pjesë kryetarë bashkish nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Moldavia dhe Ukraina, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës po punon për të zgjeruar gamën e shërbimeve që ofron online, duke shmangur kontaktin me punonjësit dhe reduktuar mundësinë për korrupsion.

“Një pjesë e madhe e popullsisë sonë, në Shkup, në Tiranë, në Moldavi, në Kosovë, e harxhon kohën duke qëndruar në radhë për të takuar një zyrtar, i cili duhet t’i japë një letër që dëshmon që ti je ti. Pra, që është certifikata jote. Sa orë, sa kapital njerëzor, sa energji e çmuar, kalohet nëpër qytetet tona në radhë për të prodhuar që ti je vetja jote. E pakuptimtë! Ajo që po bëjmë është që 70 dokumente, duke filluar nga janari, në Tiranë do të jepen në një kioskë, njësoj si bankomati. Mjafton të futësh ID, do paguash tarifën dhe e merr të printuar”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo nismë do t’u kursejë qytetarëve 9 ditë të humbura në vit për të marrë një dokument zyrtar dhe njëkohësisht shmang edhe korrupsionin. “Qeveria shqiptare dhe kryeministri ka marrë një vendim shumë të guximshëm. I ka anuluar certifikatat për nevojat e një institucioni shtetëror me një tjetër. Por, për institucionet private, për bankat, për kontrata, për noterë, ende kërkohet certifikata nga palë të tjera. Një shqiptar mesatarisht harxhon 9 ditë në radhë në marrje shërbimesh në vit. Unë besoj se kjo është mënyra më e mirë se tregon jo vetëm modernizim, por edhe shmang korrupsionin”, tha ai.

Veliaj prezantoi disa nga nismat që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës dhe që synojnë në radhë të parë lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, por edhe shmangien e mundësive për të korrupsion. Kështu, ai solli në vëmendje nismën për të kaluar në sistemin online të gjitha procedurat e marrjes së lejeve të ndërtimit në Tiranë, si një mundësi që shmang gjithashtu kontaktin e drejtpërdrejtë mes njerëzve. “Një nga gjërat që kemi bërë është që kaluam online të gjitha lejet e ndërtimit. Është e vetmja mënyrë sesi mund të frenonim ndërtimin pa kriter dhe gjithë aferat korruptive që ndodhin nëpër bashkitë e Shqipërisë. Me një proces komplet transparent, njerëzit as nuk duhet të vijnë në bashki, as nuk duhet të njohin kënd në bashki dhe sistemi i modernizuar, jo vetëm që ka ulur korrupsionin, ka shtuar të ardhurat e bashkisë, por për këdo sipërmarrës të ndershëm, e ka bërë shumë të kollajtë doing biznes në Tiranë dhe në Shqipëri”, tha Veliaj.

Një tjetër nismë që vjen gjithashtu në favor të adresimit të problemeve që kanë qytetarët pa qenë e nevojshme që të përballen me punonjësit e Bashkisë është edhe aplikacioni “Tirana ime”. Sipas tij, falë këtij aplikacioni është bërë e mundur jo vetëm zgjidhja e shumë problemeve të denoncuara nga qytetarët, por edhe të reduktojë shpenzimet për pagesën e inspektorëve të terrenit. “Tirana Ime është një aplikacion fantastik, që i jep akses çdo qytetari të shikojë atë çfarë sheh edhe kryetari i Bashkisë. Mjafton që një qytetar në Tiranë të shtypë në telefonin e tij, një fotografi të një grope, të një peme të prishur, të një drite të djegur, e çon me GPS-in e tij në dispeçerin e bashkisë, dispeçeri i bashkisë menjëherë çon dikë që ta rregullojë dhe ty të vjen fotografia sesi u rregullua ai problem. Kjo do të thotë se në vend që të kishim 1000 inspektorë bashkie që shkojnë dhe kontrollojnë ku nuk janë mbledhur plehrat, ose ku është çarë asfalti, ose kush po bën një ndërtim pa leje, kemi rekrutuar pa pagesë 20 mijë vetë në këtë qytet, aq sa është mesatarja çdo muaj e raportimeve”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, një tjetër projekt që redukton mundësinë e korrupsionit, por edhe që rrit transparencën e Bashkisë së Tiranës në sytë e qytetarëve dhe të medias është “Open Data”.

“Qytetet pa korrupsion të së ardhmes” është konferenca e parë rajonale e këtij lloji, e cila ofron një mundësi për të shkëmbyer përvojat rreth arritjeve dhe sfidave për të parandaluar korrupsionin në nivel vendor, duke përfshirë ato në nivel qyteti, qarku apo rajoni dhe nivelet e tjera nënkombëtare të administratës publike. Diskutimi gjatë kësaj konference synon të bëjë të mundur identifikimin e shembujve të mjeteve të suksesshme dhe të praktikave të mira, dhe do të kontribuojë në zhvillimin e rekomandimeve rajonale për këtë temë.

 

Comment

*