Veliaj: Ndreqje Teatrit të Metropolit për t’i kthyer dinjitet aktorëve e artdashësve

Teatri i Metropolit do të jetë shumë shpejt një qendër e denjë për shfaqje teatrale dhe veprimtari kulturore

Bashkia e Tiranës ka nisur projektin e rikonstruksionit të sallës së shfaqjeve “Çehov” dhe ambienteve ndihmëse, të cilat do t’i shërbejnë aktorëve dhe publikut.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se investimi në këtë godinë ishte bërë i domosdoshëm, jo vetëm për shkak të rrënimit ndër vite, por edhe për t’iu përgjigjur ritmit të jetës së gjallëruar artistike që zhvillohet në këtë teatër.

“Kemi rikuperuar axhendën e shfaqjeve, por duhet të rikuperojmë edhe infrastrukturën, ndaj ka ardhur koha që të ndërhyjmë.

Më vjen mirë që po nisim rikonstruksionin e sallës “Çehov” dhe hapësirave mbështetëse, për t’i kthyer dinjitet kujtdo që zë këtë skenë për të dhuruar qytetit art”, tha kreu i bashkisë.

Veliaj theksoi se ky investim është i një rëndësie të veçantë, duke shtuar se është e rëndësishme që krahas investimeve në infrastrukturë të investohet edhe në fusha të tilla si arti dhe kultura.

“Njerëzit jetojnë edhe me art, kulturë, muzikë e teatër, ndaj është e rëndësishme që të investojmë si në infrastrukturë ashtu edhe në kulturë.

Mund të kemi infrastrukturën më moderne, por nëse kemi një kulturë minimale si qytetarë, shkatërrojmë çdo investim.

E keni vënë re që kur investojmë njëkohësisht edhe në infrastrukturë, edhe në kulturë, kultura që ndërtohet ruan edhe infrastrukturën, ndaj të dyja jo vetëm që nuk janë të ndara, por janë të lidhura rrënjësisht me njëra-tjetrën”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi punën që është bërë në këtë qendër me kalendarin e aktiviteteve dhe shfaqjeve të ndryshme teatrale, duke rikthyer interesin e qytetarëve artdashës.

Veliaj theksoi se punimet nuk do të pengojnë aktivitetet kulturore, pasi ato do të alternohen duke bërë të mundur që teksa në njërën sallë punohet, në tjetrën të jepen apo organizohen aktivitete dhe shfaqje të ndryshme.

Ai bëri të ditur se falë investimeve që po ndodhin edhe në skenat e tjera të teatrove të kryeqytetit, Tirana po kthehet në një qytet që ofron një mundësi të përhershme kulturore dhe artistike.

“Jemi në fazën e projektimit të Teatrit Kombëtar dhe besoj se bashkë me Teatrin e Metropolit dhe Teatrin Eksperimental, sot realisht ka një ofertë kulturore në Tiranë.

Më gëzon zemra kur shoh njerëz që vijnë nga Tetova, Prishtina, Ulqini për jetën kulturore të Tiranës.

Nëse më parë në Tiranë ndodhte një herë në muaj një aktivitet kulturor, sot është dilemë, se çdo natë ka aktivitete, për të bërë një zgjedhje se ku duhet të kalosh mbrëmjen.

Më vjen mirë që Tirana është jo vetëm kryeqyteti administrativ i shqiptarëve dhe Shqipërisë, por edhe kryeqyteti i kulturës”, theksoi Veliaj, duke bërë të ditur se vetëm në Teatrin e Metropolit në vitin e shkuar janë zhvilluar më shumë se 220 shfaqje dhe aktivitete kulturore.

Në Teatrin e Metropolit do të bëhet rikonstruksioni i çatisë së sallës “Çehov” dhe ambienteve ndihmëse të tij.

Më konkretisht, në këtë objekt parashikohen të bëhet hidroizolimi i çatisë dhe riparimi i saj.

Ndërhyrja në këtë objekt synon edhe rikonstruksion total të nyjeve sanitare, vendosjen e një rrjeti të ri hidraulik, pllaka e dushe të reja, dyer e dritare të reja.

Comment

*