Veliu: Përse “zhegiten” zyrtarë të PDK-së,kur përmenden vrasjet politike?

Prishtinë, 20 mars 2017 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agem Veliu, ka shprehur habinë për reagimet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj kërkesës së LDK-së për ndriçimin e vrasjeve të aktivistëve të saj, pas vitit 1999.

Reagimi i Veliut vjen pas regimit të degës së PDK-së ndaj kërkesës së drejtuesve të LDK-së për zbardhjen e aktivistëve të saj, kërkesë kjo që nga PDK-ja është cilësuar si deklaratë të bërë për qëllime politike.

Veliu, në një prononcim për gazetën Express, ka thënë se nuk e kupton përse PDK-ja reagon sa herë që flitet për vrasjet politike të pasluftës.

“… nuk e di pse kur përmendet kjo temë atyre u vie kaq zheg, pse zhegiten kaq shumë ata kur flitet për këto raste. Ata edhe vet duhet të angazhohet se pa zbardhjen e atyre rasteve Kosova nuk mund të ec përpara”, ka thënë Veliu.

Ai ka thënë se edhe PDK-ja duhet që të angazhohet për zbardhjen e këtyre rasteve.

Veliu ka thënë se deklaratat e tilla bëhen për arsye personale, prandaj ato nuk do ta lëkundin koalicionin PDK-LDK.

“Me këto deklarata të PDK-së nuk e besoj që kemi ndonjë lëkundje të koalicionit. Nganjëherë këto veprime u duhen për ndonjë qëllim. Këta që po sulmojnë shumë nganjëherë po them mos kanë ndonjë hall personal”, ka thënë ai.

Nënkryetari i LDK-së ka folur edhe edhe iniciativën e Presidentit Hashim Thaçi për themelimin e ushtrisë.

Ai ka thënë se themelimi i ushtrisë nuk duhet të bëhet pa mbështetjen e SHBA-ve dhe NATO-s dhe ka shprehur habinë përse institucionet shtetërore të Kosovës po i lëkundin marrëdhëniet tradicionale me SHBA-të dhe NATO-n.

“Mustafa tha se për ushtrinë do ta kemi përkrahjen edhe të SHBA-ve dhe të NATO-s. Ne duam që t’i kemi të dyja. Ne pa to nuk mund të zhvillohemi si vend dhe si  ushtri. Ne duhet të bëjmë përpjekje deri në pikën e fundit që FSK-në ta bëjmë ushtri me ndryshime kushtetuese. Nëse ata nuk duan të kthehen, ne duhet të procedojmë tutje. Nuk e di pse, nganjëherë, po i lëkundim bashkëpunimet tradicionale me ata që i kemi miq dhe kemi bashkëpunuar. Ne po mendojmë që jemi të mjaftueshëm, ne mund të bëjmë çka të duam në Kosovë, dhe NATO-s e SHBA-ve po u themi ‘na i ruani kufijtë’”, është shprehur Veliu.

Agim Veliu, i cili është edhe kryetar i komunës së Podujevës, ka hedhur poshtë kritikat e degës së PDK-së lidhur me qeverisjen në këtë komunë. (r.m.)

Comment

*