Veliu: Rugova na la trashëgim aleancat e përjetshme me miqtë tanë

Prishtinë, 21 janar 2018 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në Akademinë Përkujtimore për Presidentin historik të Kosovë, Ibrahim Rugova, organizuar me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së tij, ka thënë se Rugova i la Kosovës trashëgimi aleancat e përjetshme me miqtë ndërkombëtarë.

“Në histori, burrështetasit e mëdhenj nuk jetojnë gjatë dhe nuk i shijojnë frutet e punës së tyre. Më e rëndësishmja që ia la Kosovës trashëgimi janë aleancat e përjetshme me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar ai.

Veliu ka thënë se tha se sot Kosova është më e izoluar ndërkombëtarisht sesa në vitet e ‘90-ta, kur Rugova vepronte dhe ka theksuar se sot, në 12 vjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit Rugova, politika e Kosovës ka edhe më shumë nevojë për mësimet e tij.

“Mënyra se si qeveriset dhe drejtohet sot Kosova nuk është rruga se si na mësonte Rugova”, ka thënë ai.

“Në kohën e sotme, Kosova ka shumë nevojë të mësojë nga përvoja politike e Rugovës, për dallim nga këta të sotmit që po i vendosin interesat e veta përpara interesave të shtetit”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Para Akademisë Përkujtimore, kryesia e LDK-së dhe përfaqësues të degëve të saj bënë homazhe te varri i Presidentit Rugova, në Velani. (r.m.)

 

Comment

*