Vendet e Quintit përshëndesin zotimin e liderëve se nuk do të shfuqizohet Specialja

Prishtinë, 8 shkurt 2018 – Pesë vendet perëndimore, ato që njihen më shumë me emrin vendet e Quintit, sot kanë dalë me një deklaratë të përbashkët me të cilën kanë përshëndetur zotimet e liderëve të vendit se do të heqin dorë nga përpjekja për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara, raporton KTV.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kërkohet që liderët ta mbajnë fjalën për respektim të Gjykatës Speciale.

Ky është teksti i deklaratës:

“Mirëpresim deklaratat e fundit të udhëheqësve politik Kosovarë ku zotohen se heqin dorë nga përpjekjet për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara. Presim nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre, kurse nga institucionet e Kosovës presim që ta nderojnë këtë gatishmëri. Vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta afirmojë pjekurinë e saj si shtet dhe gatishmërinë për t’u integruar tërësisht në Europë dhe në komunitetin ndërkombëtar. Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës tani, kur festojmë shumë të arritura në dekadë, që nga pavarësia”.

(r.m.)

Comment

*