Vendoset shtatorja e Heroit Kombëtar Adem Jashari në Lipjan

Nga Anjeza Bojku

Shtatorja e Heroit Kombëtar Adem Jashari u vendos dje, me 26 nëntor, në sheshin qëndror të komunës së Lipjanit në Kosovë. Zbulimi dhe inaugurimi është lënë për ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor, e cila është dhe ditëlindja e heroit legjendar.

 

Shtatorja prej 3.5 metra me bazament 1.3m x 1.5 m x 1.2m është realizuar nga skulptori durrsak z. Idriz Balani. Ai u shpall si fitues i një konkursi zhvilluar në mars 2017 nga komuna e Lipjanit ku morën pjesë dhe pesë firma (artistë) të tjerë.
“Vepra është e derdhur në bronz dhe u vendos dje me 26 nëntor. Ceremonia e zbulimit të shtatores do të zhvillohet në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e cila përkon dhe me ditën e lindjes së heroit”, u shpreh skulptori Balani.

Sheshi ku është vendosur shtatorja gjithashtu mban emrin e Adem Jasharit dhe sapo është përfunduar në kohë për inaugurimin e shtatores së tij. Në momentin e mbërritjes dhe vendosjes në shesh ishin të pranishëm kryeatri i komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti së bashku me stafin e tij dhe komisionin e organizimit të ceremonisë, si dhe gazetarë nga RTK.

I pyetur për veprat e tij, Balani thotë që krijimtaria e tij ka një karakter historik.

“M’është dashur të punoj mjaft vepra për disa nga figurat më të ndritëshme të kombit shqiptar si, Haxhi Zeka (Pejë), Isa Boletini (Isniq -Deçan, Mitrovicë, Saraj -Shkup), Ahmet Delia (Prekaz), Enver Kukaj (Terstenik -Drenas), Beqir Age Vokshi (Voksh-Deçan), Dr. Ibrahim Rugova (Tiranë) etj…..Tani kemi shtatoren e Hasan Prishtinës e cila është realizuar po në bronz dhe do inaugurohet vitin e ardhshëm. Dhe së shpejti fillon dhe realizimi i shtatores së heroit Ismet Asllani”, shton Balani.

Pyetur nga kjo autore nëse ka kërkesa për buste e shtatore të figurave historike nga qeveria lokale apo kombëtare e Shqipërisë, Balani shprehet se “për fat të keq nga Shqipëria nuk ka shumë kërkesa të tilla”.

Skulptori Idriz Balani lindi në Konispol dhe u rrit në Durrës. Ai vazhdoi studimet në Tiranë duke u specializuar në artin e skulpturës realiste nën skulptorin e mirënjohur Hektor Dule. Ndër të tjera ai ka shërbyer dhe si Drejtor i Kulturës dhe Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Bashkinë e qytetit të Durrësit.

   

Comment

*