Vënia në punë e TAP-it heq monopolin “Gazpromit” rus në Ballkan

Tri zhvillime në ndërrimin e viteve do të kenë efekt afatgjatë në biznesin e koncernit “Gazprom” në Europën Juglindore, me pasoja edhe në tregun e BE-së. Kush fiton dhe kush humbet?

Me ndërrimin e viteve në tregun e gazit në Europën Juglindore pati tri zhvillime me rëndësi që do të kenë vazhdë të gjatë pasojaash: Më 1 janar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dha me ceremoni sinjalin e startimit: Serbia do të furnizohet me gaz rus përmes një itinerari të ri – nga Bullgaria, përmes një gazsjellësi në Ballkan, “Balkan Stream”, një degëzim i gazsjellësit “Turkish Stream”.

Vetëm pak orë më parë, ende në vitin e vjetër, filluan furnizimet nga Axerbajxhani drejt Bullgarisë përmes gazsjellësit të sapopërfunduar “Trans Adriatik”, i njohur si gazsjellësi TAP. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, po ashtu ditën e Vitit të Ri, gjatë një vizite në një stacion kompresori në kufirin grek, theksoi: „Nga sot kemi diversifikim të plotë.” Thënë ndryshe, me këtë ai e bëri të ditur fundin e monopolit të koncernit “Gazprom” në tregun bullgar.

Zhvillimi i tretë në Vitin e Ri ishte vënia në punë komercialisht e terminalit të ri mobil për gazin e lëngshëm, LNG para ishullit kroat, Kërka. Një anije cisternë solli gazin amerikan, LNG, i cili u modifikua dhe u fut në rrjetin e tubacioneve të vendit, që po ashtu është i lidhur me rrjetin europian. Me këtë edhe Kroacia e degëzon furnizimin, që deri më tani vinte vetëm nga “Gazprom”. Kroacia tani mund të veprojë edhe si eksportuese e gazit psh. në Hungari apo Ukrainë.

Pasojat për furnizimet me gaz në Europë

Blerësit më të mëdhenj të gazit rus në Ballkan në vitin 2019, sipas “Gazprom”, ishin Kroacia, (2,82 miliardë metta kub), Greqia (2,41 miliardë) dhe Bullgaria (2,39 miliardë). Serbia me 2,12 miliardë metra kub gaz renditet në vendin e katërt.

Kapaciteti i terminalit LNG të vënë në punë në Kroaci kap 2,6 miliardë metra kub në vit. Teorikisht Kroacia mund t’i jepte fund brenda natës bashkëpunimit me “Gazpromin”, gjë që nuk ka gjasa. Më shumë realiste është ulja e ndjeshme e gazit të porositur në Rusi. Kështu tani në Kroaci, “Gazpromi” ka një konkurrencë serioze, gjë që do të ulë çmimet në treg e jo vetëm në tregun kroat. Një pjesë e madhe e gazit të lëngshëm në terminalin para Kërkës do të shkojë për eksport. Blerësi kryesor do të jetë Hungaria, por blerëse e gazit mund të jetë edhe Ukrain.

Një etapë e ndërmjetme për qëllimin final

Për “Gazpromin”, Hungaria është një treg i rëndësishëm. Në vitin 2019 u shitën aty 11,26 miliardë metra kub gaz që shkon në Hungari e pastaj në Austri, ku gjendet një stacion i rëndësishëm gazi për eksportin rus. Nga aty, përmes një degëzimi të dytë të gazsjellësit “Turkish Stream”, do të rrjedhë gaz me një kapacitet 15,75 miliardë metra kub.

Bullgaria dhe Serbia janë tregje të vogla për një projekt të tillë gjigand të gazit, edhe Maqedonia e Veriut me 0.30 miliardë metra kub gaz në vitin 2019, apo Bosnje-Hercegovina me 0,24 miliardë metra kub.

Degëzimi “Balkan Stream” që u vendos vitin e kaluar nga kufiri turk përmes territorit bullgar dhe lidhja e tanishme me Serbinë janë për “Gazprom” vetëm një fazë e ndërmjetme për qëllimin final: zgjatjen e gazsjellësit deri në Hungari, gjë që me shumë gjasa mund të kryhet në vitin 2022.

Deri atëherë “Gazprom” do të furnizojë tregun hungarez tranzit, përmes Ukrainës, vetëmse tani në Hungari vjen konkurrencë nga Kroacia. Sipas “Croatiaweek”, terminali LNG është i prenotuar për tri vitet e ardhshme plotësisht, deri në vitin 2027 80% dhe deri në vitin 2035 50%.

Korridori jugor i gazit është funksional

Në një kohë që fillimi nga puna i terminalit LNG në Kërkë është humbje monopoli për “Gazpromin”, dhe ka më shumë konkurrencë në Hungari, koncerni rus e humbet pozicionin e monopolit edhe në Bullgari përmes startimit të të ashtuquajturit korridori jugor i gazit. Ai do të ndeshet me një konkurrencë më të fortë edhe në Greqi dhe në Itali. Konkurrenca në këtë rast nuk është ndonjë gaz i lëngshëm, p.sh. nga Katari, Algjeria apo SHBA, por një gazsjellës më i leverdisshëm nga Azerbajxhani.

Korridori jugor i gazit është një sitem me dy gazsjellës: TANAP dhe TAP. TANAP i ashtuquajturi “Trans-Anatolian Natural Gas Pipeline” u vendos në punë në vitin 2018 dhe sjell gaz nga Azerbajxhani, përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë, në Greqi, ku fillon lidhja, që tani u vu në punë e linjës Trans Adriatik -TAP – “Trans Adriatic Pipeline”. Përmes kësaj lidhjeje, gazi do të vazhdojë të shkojë në Shqipëri, dhe përmes detit deri në Itali. TAP ka një kapacitet prej 10 miliardë metra kub në vit, prej tyre 8 miliardë janë parashikuar për Italinë, blerësi kryesor i gazit azerbajxhanas në BE. Për “Gazpromin”, Italia është pas Gjermanisë tregu i dytë më i rëndësishëm i gazit në BE. Teorikisht pas fillimit nga puna të TAP, kërkesa për gaz nga Rusia mund të bjerë me një të tretën.

Por, “Gazpromi” më shumë humbje kërcënon të ketë në Europën Juglindore. Që këtë vit do të kalojnë 1 miliardë metra kub gaz përmes TAP-it në Greqi dhe në Bullgari. Po të kujtosh se të dy vendet në vitin 2019 kanë blerë në vitin 2019 2,4 miliardë metra kub gaz, furnizimet ruse mund të ulen në këto tregje me 40-45%.

Serbia ka avantazhe financiare

Para këtyre zhvendosjeve tektonike në tregun e gazit në Europën Juglindore, lidhja e Serbisë me degëzimin “Balkan Stream” duket vetëm si një ndryshim i itinerarit të gazit rus në këtë treg të vogël. Më parë Serbia e merrte gazin nga Ukraina dhe Hungaria. Tani, një vit pas vënies në punë të gazsjellësit “Turkish Stream”, gazi rus do të kalojë përmes Detit të Zi, Turqisë, Bullgarisë deri në Serbi. Serbia do të përfitojë përmes ndryshimit dhe tarifave të tranzitit, sepse sipas agjencisë Interfax, çmimi për gazin rus do të bjerë nga 240 dollarë për 1000 metra kub në 155 dollarë, gjë që e rrit aftësinë konkurruese të gazit rus. Në të njëjtën kohë “Gazpromi” nuk e ka zgjidhur ende detyrën strategjike të vënë nga Ukraina për t’i dhënë fund përfundimisht kalimit tranzit të gazit përmes Ukrainës.

(DW.de)

Comment

*