Vepra “Kosova” e historianit Jusuf Buxhovi u promovua në Bronx, New York

Beqir Sina

Beqir Sina

U nderuan me proklamata të mirënjohjes, të nënshkruara nga Presidenti i qytetit të Bronx-it: Ali Ibra-Neza, Isuf Gervalla, Musli Mulosmani dhe Ambasadori Bekim Sejdiu konsulli i përgjithshëm i Kosovës në New York

 

BRONX, NY: Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro Amerikane në lidhje me Monroe College organizoi të dielën pasdite, në 23 shkurt, një leksion nga profesori i njohur i botës shqiptare, Jusuf Buxhovi, në King Hall të Kolegjit Monroe në Bronx, New York.
Aktiviteti synonte promovimin e veprës së profesorit kosovar, në rrugëtimin e tij, nëpër disa universitete amerikane.
Veprimtarinë e organizuan dhe drejtuan ish-asambleisti dhe anëtari i hershëm i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, avokati Stephen B. Kaufman, presidenti AASF, Esad A. Rizai dhe zv-presidenti, Haxhi Berisha, pedagog në këtë kolegj.
Në këtë promovim folën botuesi i kësaj vepre në anglisht Ramiz Tafilaj nga kompania “Jalifat Publishing”, ambasadori Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithshëm e Kosovës në Nju Jork, Dean Karenann Carty, nën-presidente e Çështjeve Akademike e kolegjit Monroe, Esad Rizai dhe vetë profesor Buxhovi, i cili në fund edhe iu përgjigj interesimit të pyetjeve nga auditori lidhur me këtë vepër.
Esad Rizai, nismëtari i kësaj veprimtarie, thotë se “Këto vepra ne duhet t’i vlersojmë se këto janë vepra historike, të cilat flasin me gjuhën e hulumtimeve serioze dhe kan argumente të rëndësishme, për ne shqiptarët kudo që jemi. Ato janë busulla jonë për të na treguar se pa kthyer kokën mbrapa për të parë historinë tonë, ne shqiptarët nuk mund të ecim përpara. Ne duhet të dimë se nga kemi ardhur dhe se çfarë kanë bërë shqiptarët për çështjen shqiptare – me vite të tëra”.
Në promovimin, përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Janifat Publishing”, Ramiz Tafilaj, ka thënë se ai ka pasur peripecitë e tij për ta përkthyer këtë vepër, të cilat ceku ai kanë qenë shumë të mëdha.
“Jemi munduar ta bëjmë përkthimin e ‘Kosovës’ në gjuhën angleze ashtu siç është përpjekur ta shkruajë miku ynë Jusuf Buxhovi, mbasi nuk është punë e vogël për ta bërë përkthimin e 2 600 faqeve, sa i ka kjo vepër madhështore”, ka thënë Tafilaj.
Ai shtoi se vepra “Kosova”, botuar në tri vëllime ka prirë si libri më i shitur për vitet 2012 dhe 2013 si dhe ka shumë kërkesa për ribotim. “Është libri më i shitur ndonjëherë në historinë e Kosovës”, deklaroi ai.
Autori i kësaj vepre Jusuf Buxhovi ka nënvizuar se vepra e tij “Kosova” është përkthyer në gjuhën angleze falë bashkëpunimit me shkrimtarin e njohur Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese “Faik Konica” dhe Ramiz Tafilajn nga shtëpia botuese “Janifat Publishing”, e cila gjendet në Huston, Texas në SHBA.
Me këtë rast, profesor Buxhovi vlerësoi lart nderimin që i bëri atij Kolegji Monroe, duke thënë se “në një kohë kur ky libër në disa qarqe të caktuara po kontestohet – vjen një kolegj i njohur në Shtetet e Bashkuara që e sheh të rrugës ta nderojë autorin dhe veprën e tij dhe ta stimulojë atë për një punë të mëtejeshme shkencore dhe historike për Kosovën”.
“Vepra ‘Kosova’ është shkruar për ta përcjellë mesazhin e historisë së shqiptarëve, të cilën duhet ta shkruajnë vetë autorët shqiptarë, e kjo historiografi të jetë në përputhje me qëndrimin tonë që të rrënohen stereotipat dhe klishetë, që i ka krijuar për shekuj me radhë historiografia serbo-madhe e Beogradit, Greqisë dhe Rusisë”, është shprehur ai. Sipas tij, deri më tani historiografia shqiptare, nuk ka autor që t’i jenë përkthyer veprat e tyre kushtuar ngjarjeve dhe çështjeve të rëndësishme historike për Kosovën.
Në fund Zëvendës-presidenti i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, profesor Haxhi Berisha ka falenderuar autorin dhe pjesëmarrësit dhe ka premtuar se Kolegji Monroe, mirëpret dhe i ka “dyert e hapura” për komunitetin shqiptar, që të organizojnë aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe promovime të tjera.
Përkthimin e këtij libri e kanë bërë Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi. Përkthimi anglisht i tri vëllimeve i cili ka dalë nga shtypi në fund të vitit të kaluar ka titujt: “Dardania in Ancient and Medieval Times”, “The Ottoman Empire” dhe “From Occupation to International Protectorate”. Vepra është botuar ekskluzivisht nga shtëpia Jalifat Publishing, me seli në Houston të Texasit.
Jusuf Buxhovi është shkrimtar, historian dhe publicist. Romanet e tij janë shpërblyer me çmime dhe janë përkthyer në shumë gjuhë. Për dekada me radhë, z. Buxhovi jetoi në Bonn të Gjermanisë, ku shërbeu si korrespondent i gazetës “Rilindja”. Në Gjermani filloi një punë të gjatë gjurmimesh për historinë. Më 1989, bashkëthemeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës në emër të përpjekjes së intelektualëve për krijimin e shtetit të Kosovës. Tani jeton në Prishtinë ku vazhdon të merret me shkrime dhe studime historike.


Në fund të veprimtarisë, u nderuan ,me proklamata të mirënjohjes, të nënshkruara nga Presidenti i qytetit të Bronx-it, Ruben Diaz Jr: Ali Ibra-Neza, Isuf Gervalla, Musli Mulosmani dhe Ambasadori Bekim Sejdiu konuslli i përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork.
Proklamatat janë ndarë në kuadër të kremtimeve të 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, me propozimin e organizuar nga Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro-Amerikan dhe presidentit Easd Rizai.
Trashgimtarët e patriotit të flaktë nga Malësia e Gjakovës, Ali Ibra-Neza: Halit dhe Gani Neza, me këtë rast kanë shprehur një falënderimin e thellë për Presidentin Ruben Diaz Jr, për nderimin që ai i ka bërë figurës së Ali Ibrës, shtatorja e të cilit është vendosur, në qendër të Gjakovës. Ai është nderuar me medalje edhe nga ish Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Gani Neza, tha se “Falenderojmë Zotin dhe SHBA që sollën këtë ditë të vlerësohen edhe këto figura të mëdha kombëtare, që regjimi i Enver Hoxhës, i përbalti dhe i mbuloi me pluhurin e harresës dhe denigrimit- Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët dhe Amerikën”.

Një falenderim të posaçëm me këtë rast për presidentin e qytetit të Bronxit shprehu edhe anëtari i Senatit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, zoti Musli Mulosmani, një veprimtar i dalluar i komunitetit, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, ambasadori Bekim Sejdiu, të cilët u nderuan me Proklamatën e Qytetit të Bronxit.
Pinjolli i Nezajv të Tropojës, Halit Neza me këtë rast kujtoi ish Kryeministrin e Shqipërise, zotin Sali Berisha i cili ka thënë se :“Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar” tha Neza, ka deklaruar ish Kryeministri Berisha ” në nderimin që i ka bërë kësaj figure me përmasa kombëtare në Gjakovë vitin e kaluar.

Comment

*