Vermoshi, fshati turistik që kërkon më shumë vëmendje

Ermira Therqaj

Treva e Kelmendit është jo vetem një parajse natyrore, por edhe “djepi” i kreshnikëve, miteve dhe legjendave që bëjnë kureshtarë e joshin cdo të huaj

 

Vermoshi, skaji më verior i Shqiperisë, është vendi i bukurive të ralla natyrore dhe fshati i braktisur.
Një paradoks që vështirë se e has kund tjetër. 300 familje që jetonin në këtë zonë turistike në vitin 1990, sot veshtirë se bëhen 90. Një realitet i dhimbshëm, por i vertetë.
Braktisja ndër vite e vendlindjes ka ardhur si pasojë e izolimit dhe per shkak te rruges malore te amortizuar qe mund te pershkohej me vështiresi vetëm nga fuoristradat.
Por historia e rrugës i përket së shkuares, pasi infrastruktura e re e ka lehtësuar transportin dhe afruar zonën turistike te Vermoshit me qendrat urbane.
Ky investim po ndikon edhe në zhvillimin e turizmit malor.
Fluksi i vizitoreve ka tejkaluar edhe parashikimet më optimiste.
Madje kelmendasit janë zënë disi në befasi përballë numrit të madh të turisteve pothuajse nga të gjitha kontinentet.
Burimet njerzore dhe kapaciteti i shtreterve nuk mund të kënaqin vershimin e përditshem drejt Alpeve.
Turiste të aventures, amatore të sportve të alpinizmit dhe çiklizmit, studjues te folklorit, te rinj dhe të moshuar, mësyjne cdo dite Selcen, Qafen e Bordolecit, Lepushen dhe Vermoshin.
Guidat dhe informaconi nuk janë të mjaftueshme por rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndesishëm për promovimin e zonës. Natyrisht një element i rëndësishëm është fakti se treva e Kelmendit është jo vetem një parajse natyrore, por edhe “djepi” i kreshnikëve, miteve dhe legjendave që bëjnë kureshtarë e joshin cdo të huaj.
Me keto alpe lidhen historitë e trimerisë, baladat dhe legjendat e shumta.
Sapo mberrijnë në Vermosh, në bujtinat mikpritese, turistët prekin Europen. Koha, siç duket i ka emancipuar banorët e Kelmendit qe tashme jane zhveshur nga konceptet dhe praktikat patriarkale.
Shembulli më tipik është 71 vjecari Vasel Mitaj. Përkrah të shoqes Dranes, ai shërben kafe per vizitorët dhe bën cdo lloj pune edhe ato qe konsideroheshin si punë grashë. Ai që të vjen te dera të nderon- thote Vaseli,. -Tradita jone është bukë e kripe e zemer. Shtëpia e Zotit dhe e mikut.
Tre djemte e tij, si shumë bashkëfshatarë të tjerë, kanë emigruar, ndaj cifti i të moshuarve presin dhe percjellin vizitorët e shumtë qoftë edhe per të fiksuar një fotografi.
Natyra dhe njerzit perbëjnë ekzotiken e kohëve moderne.
Vaseli nuk ka shumë shkollë, por jeta bjeshkë ka qenë një universitet i madh si për shumë të tjerë.
Perjetimet e tij të sinqerta, interesante dhe të larmishme i ka përmbledhur në një liber titulluar “Rruget e jetës”.
Diku në prozë e dike në vargje që rrjedhin herë qetë, qetë e herë vrullshëm si lumi që përshkon këtë fshat piktoresk rrjedhin edhe historia, traditat, bëmat dhe folklori i kësaj zone në faqet e librit.
Kelmendasit që kanë marrë udhët e kurbetit për një jetë më të mirë, kanë përzgjedhur më së shumti Amerikën. Njëri ndër ta është edhe Çaku, sic quhet ndryshe ne vendlidje Zef Lumaj.
Ka 20 vjet i emigruar në SHBA, por mendjen dhe zemrën i ka në vendlindje. Ai vjen rast pas rasti në Vermosh.
Edhe pse fjalëpakë, Zefi tregohet optimist për të ardhmen e Vermoshit. Instrumenti nuk është magjik thote ai. Njerzit, banorët e këtyre alpeve duhet tja kthejnë shkelqimin zonës, por duhet edhe vëmendje institucionale.
Por optimizmi duket sikur thërrmohet në peisazhin ku spikasin kullat e braktisuara. Emigracioni ka lënë gjurmë të thella, madje mund të konsiderohet si një plagë e hapur.
Luigj Noka në Qafen e Bordelecit, atje ku cdo vit organizohet veprimtaria “Logu i Bjeshkëve” për të përzgjedhur vajzen më të bukur, thotë një këmbë e kam këtu e tjetrën në Amerikë.
Përtej kësaj metafore kupton që edhe kur merr rrugën përtej oqeanit, zemren e ka në vendlindje.
Nëse do të shtohen ata që investojnë në Kelmend si Luigji, apo të Zotët e Bujtina Frati, Peraj, Vuktilaj, Lumaj, bujtina Lëpushë etj, do të rritej edhe kapaciteti akomodues për turistët.
Në Vermosh nuk ka mjek dhe telefonia mobile nuk funksionon.
Kryetari i Bashkisë Malësia e Madhe, Tonin Marinaj thotë se vitet e fundit ka një vëmendje të shtuar për investimet në këtë zonë dhe turizmin. Kohë më parë ishte në Vermosh edhe kryeministri Rama i cili qendroi ne bujtinen Frati për të përcjellë mesazhin se kjo zonë duhet të jetë një destinacion i turizmit malor.
Në fakt nuk duhet të jesh ekspert i ketij sektori për të kuptuar se fillimi është i mbarë, por mbetet shumë për të bërë që Vermoshi dhe krejt zona e Kelmendit të marrin zhvillimin që meritojnë.

Kryetari i bashkise Malesia e Madhe z.Tonin Marinaj.


Qafa e BORDELECIT


Bujtina Frati, Vermosh.


Lepusha.


Ure mbi lumin e Vermoshit.

Comment

*