Veseli e quan “patriotizëm të rrejshëm” demonstrimin e Thaçit në veri

Prishtinë, 29 shtator 2018 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka cilësuar si demonstrim të “partiotizmit të rrejshëm” vizitën e Presidentit Hashim Thaçi në veri të Kosovës.

Por, ai e ka cilësuar si “patriotizëm të rrejshëm” edhe protestën kundër Thaçit, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kosova, sovraniteti i saj, integriteti i saj territorial, kufijtë e saj, veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të rrejshme patriotike kundër njeri tjetrit. Duhet të marrë fund kjo politikë e mbrapshtë, që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin, të tilla si të ditës së sotme”, ka theksuar Veseli, në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Veselit:

Sot nuk fitoi asgjë Kosova. Sot humbën qytetarët e saj, u lëndua besimi i tyre në shtetin e Kosovës. Sot fituan inatet kundër njëri tjetrit dhe manipuluesit politikë.

Një gjë duhet ta ketë të qartë secili: Kosova, sovraniteti i saj, integriteti i saj territorial, kufijtë e saj, veriu i saj, nuk mbrohen me demonstrime të rrejshme patriotike kundër njeri tjetrit. Duhet të marrë fund kjo politikë e mbrapshtë, që prodhon situata manipuluese dhe të rrezikshme për vendin, të tilla si të ditës së sotme.

Ka vetëm një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe vetë shtetin e Kosovës: duke qëndruar të bashkuar përballë Serbisë. Rrugët tjera e kanë një emrues të përbashkët: dështimin dhe dëmtimin e shtetit. Pa asnjë dilemë!

(r.m.)

Comment

*