Veseli e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 29 maj 2020 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, e ka cilësuar “vendim i pritur“ vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses lidhur me dekretin e Thaçit bazohet në vendimin e kësaj gjykate të vitit 2014, kur, siç është shprehur, “VLAN (Vetëvendosja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma) tentoi ta deformonte vullnetin qytetar“.

Veseli ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është “brenda skenarit të saj“ dhe ka theksuar se “demokracia e Kosovës është në momente vendimtare“.

PDK ka votuar për rrëzimin e Qeverisë ‘Kurti’, por nuk do të jetë pjesë e koalicionit të ri qeverisës. Veseli dhe eksponentë të tjerë të partisë kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë për formimin e qeverisë së re.

Në disa raste, Veseli dhe drejtues të tjerë të partisë janë deklaruar për zgjedhje të parakoshme parlamentare, siç janë shprehur, “kur të krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve“.

Postimi i plotë i Veselit:

Një vendim i pritur nga Gjykata Kushtetuese, i cili në bazë ka vitin 2014 kur VLAN tentoi ta deformonte vullnetin qytetar.

Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te Presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për Kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese.

LVV tashmë është brenda skenarit të saj të paramenduar. Dëshiroi ta evitonte mundësinë për të qeverisur, me shpresë se do të përfitonte më shumë duke manipuluar me emocionin qytetar.

Tani, demokracia e Kosovës është në momente vendimtare, ashtu siç është edhe e ardhmja e shtetit.

(r.m.)

Comment

*