Veseli fton opozitën të marrë pjesë në dialogun me Serbinë

Prishtinë, 9 korrik 2018 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ftoi partitë opozitare që t’i bashkohen dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në një konferencë për media, Veseli tha se ballafaqimi me Serbinë nuk ka qenë i lehtë asnjëherë, por skena politike kosovare ka qenë e bashkuar çdoherë, prandaj, siç u shpreh ai, “Kosova ka fituar më shumë”.

“Jemi duke humbur kohë, jemi duke e dëmtuar veten, jemi duke u marrë me bajraktarizma, në vend që të merremi substancialisht me atë që do të ballafaqohemi, me një sfidë e cila nuk është e lehtë – Serbia asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për Kosovën”, tha.

“Ne, në vend që të koncentrohemi te pjesa substanciale, e cila është se si do të ballafaqohemi me Serbinë, si më tepër t’i orientojmë partnerët tanë që të jenë më afër nesh, për gatishmërinë tonë për dialog e jo për konflikt, ne merremi me atë se kush do të jetë i pari”, u shpreh Veseli.

Veseli tha se tema e bisedimeve me Serbinë nuk është populiste, por është obligim i të gjitha forcave politikr që ta përmbyllin këtë  çështje dhe të garantojnë të ardhme e gjeneratave të reja dhe të ardhme euro-atlantike Kosovës.

Partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë udhëheqjen e procesit të dialogut nga presidenti Hashim Thaçi. (r.m.)

Comment

*