Veseli, Haradinaj e Limaj takohen me Ukë Rugovën

Prishtinë, 12 gusht 2017 – Kryetarët e tri partive kryesore të koalicionit PAN – PDK-së, AAK-së dhe Nismës – kanë zhvilluar sot një takim me djalin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukë Rugovën.

Siç shihet nga foto e publikuara nga Lajmi.net, ky takim është zhvilluar në njërin nga lokalet e  Prishtinës.

Arsyeja e takimit të Kadri Veselit, Ramush Harainajt dhe Fatmir Limajt me Ukë Rugovën vetëm mund të merret me mend, me që ky takim mbahet në kohën e përpjekjeve intensive të koalicionit PAN që t’i sigurojë votat e nevojshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Veselit për kryetar të Kuvendit dhe për formimin e qeverisë së drejtuar nga Haradinaj.

Familja Rugova ka qenë shumë e përfolur në media këto ditë, për shkak se deputetja e LDK-së Teuta Rugova ka votuar pro kërkesës së PAN-it që t’i jepet më shumë kohë për konsultime lidhur kandidaturën për kryetar të Kuvendit. Ky votim ka bërë që të spekulohet se kjo deputete do të votojë kandidatët e PAN-it për kryetar të Kuvendit dhe për kryeministër.

Vetë Teuta Rugova ka dhënë mesazhe kontradiktore. Fillimisht ajo i ka bërë thirrje partisë së saj, LDK-së që të mbështesë krijimin e institucioneve të udhëhequra nga PAN-i, pastaj ka thënë se ajo do të mbajë qëndrim të njëjtë me partinë e saj.

Në media është spekuluar gjithashtu se vëllai i deputetes Rugovë, Uka, mund të jetë edhe pjesë e kabinetit qeveritar që do të formohej nga PAN-i.

Ukë Rugova nuk ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Qershorit, pasi ndaj tij është ngritur aktakuzë për krim të organizuar dhe mashtrim me viza të shtetit të Italisë. Atij i është hequr masa e arrestit, e cila i është zëvendësuar me paraqitjen e detyrueshme në polici. (r.m.)

Comment

*