Veseli konfirmon se ende s’ka konsensus për Demarkacionin

Prishtinë, 6 mars 2018 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka konfirmuar se ende nuk është arritur konsensusi politik për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Jam duke punuar intensivisht me kolegët e partive politike, në mënyrë që të arrijmë konsensusin e përbashkët që kur të shkojmë në seancë, ta përfundojmë çështjen e Demarkacionit”, ka thënë Veseli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shfaqur shpresën se së shpejti do të zgjidhen mosmarrëveshjes mes LDK-së dhe AAK-së, të cilat kanë lindur pas një marrëveshjeje politike që ishte arritur mes partive shqiptare në pozitë dhe LDK-së në opozitë.

“Shpresoj edhe në një reflektim pozitiv të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të njëjtën kohë edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mënyrë që kur të futemi në seancë ta votojmë”, është shprehur ai.

Veseli ka shfaqur shpresën se tema e Demarkacionit do të mbyllet përfundimisht, këtë javë.

“Presim që këtë javë të përfundojë ratifikimi i Marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Nuk ka asnjë arsye të kemi vonesa, mjaft jemi vonuar. Në të njëjtën kohë, besoj se kemi arritur tek ajo pika e konsensusit, që të krijojmë edhe besimin që me dy të tretat, ta votojmë një çështje e cila është aq me rëndësi, siç është çështja e shënjimit të kufirit, e cila e forcon sovranitetin e shtetit tonë dhe, në të njëjtën kohë, hap edhe perspektivën e qytetarëve tanë për lëvizje të lirë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Veseli nuk ka dashur t’i ndajë deputetët sipas përkatësisë etnike.

‘Nuk do t’i ndaja kolegët deputetë. E rëndësishme është vendimmarrja për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi’, ka thënë ai, kur është pyetur nëse ka kontakte me grupin parlamentar të Listës Serbe.

Kryeparlamentari Veseli i ka hedhur poshtë raportimet se Lista Serbe ka vënë kushte për votën e saj pro demarkacionit me Malin e Zi.

“Asnjë kushtëzim nuk është i vënë as nuk do të jetë, për arsye se ne po punojmë që të forcohet sovraniteti, në të njëjtën kohë, të forcohet perspektiva e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*