Veseli: Konsensusi nacional për Demarkacionin është afër

Prishtinë, 23 shkurt 2018 – Kryetari i Kuvendit dhe njëherësh kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se në zyrën e tij në Kuvend janë zhvilluar biseda të gjata për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe ka theksuar se konsensusi nacional për këtë temë është afër.

Në një intervistë për RTK-në, Veseli ka thënë se ka një dialog konstruktiv mes palëve për të arritur një marrëveshje.

Ai ka thënë se dallimet në diskutime janë të vogla dhe ka shprehur bindjen se ato do të tejkalohen.

Veseli ka paralajmëruar takime të tjera mes subjekteve politike për të arritur një marrëveshje për ratifikimin e Demarkacionit dhe i ka siguruar qytetarët e Kosovës se deri të mërkurën, kur do të vazhdojë seanca e ndërprerë e Kuvendit, do të arrihet një marrëveshje dhe demarkacioni do të ratifikohet.

‘Miratimi i kësaj marrëveshje do ta forcojë sovranitetin e Kosovës dhe do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen”, ka thënë kryeparlamentari Veseli. (r.m.)

Comment

*