Veseli: Kosova është kundër ndryshimit të kufirit me Serbinë

Prishtinë, 22 shtator 2018 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për mediat gjermane rreth dialogut me Serbinë dhe e ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.

Veseli ka deklaruar për radion shtetërore gjermane Deutchlandfunk se nuk do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh dhe, në asnjë mënyrë, as asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

“Nuk do të ketë ndarje, dhe nuk do të ketë asociacion të me pushtet ekzekutiv”, ka deklaruar Veseli.

Ai  ka thënë se Kosova është kundër ndarjes në vija etnike dhe po punon për integrimin e plotë të komuniteteve pakicë.

“Do të punojmë edhe më shumë për të integruar komunitetet tona, serbët dhe komunitetet tjera. Ndarja nuk është një opsion për Kosovën”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se Kosova kërkon që shqiptarët në Luginën e Preshevës t”i gëzojnë të drejtat që i kanë serbët në Kosovë.

“Serbia, si një vend i pavarur, duhet të bëjë më shumë përpjekje për të respektuar komunitetin shqiptar atje”, ka shtuar ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se Gjermania është partner shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Ne duam të integrohemi në komunitetin evropian dhe në NATO dhe, në këtë kuptim, roli gjerman është shumë i rëndësishëm për ne si Kosovë”, ka thënë Veseli pë radion shtetërore gjermane Deutchlandfunk. (r.m.)

Comment

*