Veseli: Lërini pallavrat! Demarkacioni nuk bëhet me emocione

Prishtinë, 5 dhjetor 2017 – “Kosova duhet t’i shënjojë sa më shpejtë vijat e saj kufitare, përfshi edhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Serbinë”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Çështja e Demarkacionit nuk ka qenë fare në rendin e ditës së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, por është ngritur si temë nga gazetarët.

Veseli ka thënë se çështja e kufirit është çështje shtetërore dhe jo partiake dhe ka theksuar se vonesat e zgjidhjes së kësaj çështjeje e dëmtojnë shtetin.

“Sa më shumë vonohemi aq më shume e dëmtojmë shtetin tonë. Duhet t’i shënjojmë kufijtë se është çështje e sovranitetit. Duhet të përfundojmë me Malin e Zi e të kalojë te Serbia”, ka thënë Veseli, citon Radio Evropa e Lirë.

Veseli i ka komentuar edhe qëndrimet e ndryshme të partive politike dhe të deputetëve veç e veç, si edhe dilemat nëse Kosova rrezikon të humbë mbi 8 mijë hektarë tokë me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, të nënshkruar në vitin 2015.

“Ky nuk është qëndrim politik, por nëse më pyesni si shqiptar, kufiri do të duhej të mbrohej në Ulqin e Shkup. Pra, nëse duhet qëndrim emocional. Ky nuk është qëndrim politik. Lërini ato pallavra”, është shprehur Veseli, duke kundërshtuar ata që po e mbajnë peng ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se, për këtë subjekt politik, Marrëveshja e gushtit të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin do të duhej të ishte çështje e mbyllur tashmë. Ajo e ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj që ka proceduar marrëveshjen në Kuvend.

“Nuk ka pasur vullnet politik për ta mbyllur këtë çështje, për shkak të kryeneçësisë së ish-kryeministrit Isa Mustafa. Ne kemi pritur nga Haradinaj që të tërhiqet nga kjo marrëveshje në momentin e parë, por, siç duket, njerëzit për pozitë lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Çështja e Demarkacionit shihet ndryshe nga secila parti politike, pavarësisht nëse është pjesë e pushtetit apo opozitës.

Derisa Partia Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit të saj, Kadri Veseli, do të votojë për ratifikimin e mërrëveshjes, dy partitë tjera të koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë dakë kundër kësaj marrëveshjeje.

Deputeti i Nismës Bilall Sherifi ka thënë se kjo parti nuk do ta votojë marrëveshjen.

“Nisma e ka bërë të qartë se këtë marrëveshje nuk do ta votojmë”, ka thënë Sherifi.

Ai ka thënë se dallimet vrenda koalicionit qeveritar lidhur me Demarkacionin nuk duhet ta habisin askënd, pasi secila parti politike i mbron qëndrimet e veta.

Qeveria e Kosovës, të hënën, ka marrë vendim që të procedojë në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, i cili ka gjetur se Kosova dëmtohet me këtë marrëveshje.

Raporti i këtij komisioni është i katërti lidhur me demarkacionin me Malin e Zi. Tri komisionet paraprake, një prej të cilave ka qenë komision i ekspertëve ndërkombëtarë e kanë vlerësuar të saktë vijën e demarkacionit të paraqitur në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës e Malit të Zi në gusht të vitit 2015. (r.m.)

Comment

*