Veshja e Rita Orës në llupën e mediave botërore

“Rita Ora festoi Ditën e Pavarësisë së Kosovës, të mërkurën, duke postuar foto me veshje tradicionale me rastin e 13 vjetorit të pavarësisë”.

Kështu shkruan e përditshmja britanike “DailyMail“ në një shkrim për artisten shqiptare me renome botërore.

Rita Ora ndau me fansat e saj në Instagram një set fotografish në veshje kombëtare, të cilën ajo i veshi për klipin e saj të fundit “Big”.

Veshja mbresëlënëse e Ritës përbëhej nga një fustan i zi me mëngë të gjata me qëndisje prej ari dhe një pëlhurë me rripa të palosur.

Interpretuesja e shumë hiteve kishte veshur një këmishë të bardhë me geta të përshtatshme së bashku me shall të kuq përmbi kokë.

Rita kishte veshur edhe çizme ngjyrë blu të errëta, me detaje nga leshi artificial, si edhe doreza të kuqe të ndezura.

Ajo pozonte së bashku me disa gra të tjera, po ashtu me veshje tradicionale.

Krahas fotografive, ajo ka shkruar në anglisht dhe në shqip:

Happy Independence Day Kosova!!! Urime 13 vjet pavaresi KOSOVA jone! 🧡🧡🧡🇽🇰🇽🇰🇽🇰🇽🇰 Celebrating with my traditional outfit from #BIG!!

Revista “DailyMail“ shkruan se Rita Ora, ka lindur në Prishtinë. Kur ajo ishte një vjeçe, prindërit e saj emigruan në Mbretësinë e Bashkuar, në Londër, për shkak të persekutimit të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

“Ata lanë tërë jetën e tyre dhe u desh të fillonin nga e para, kur mbërritën në Londër, si refugjatë”, kishte thënë Rita, duke folur pë emigrimin e prindërve të saj nga Kosova.

“Ata zgjodhën Londrën sepse babai e donte muzikën dhe kulturën, por megjithkëtë, siç mund ta imagjinoni, mkrijimi i një jete të re ishte jashtëzakonisht e vështirë për ta”, ka shtuar ajo.

Rita Ora ka treguar se edhe ajo nuk e ka pasur të lehtë në Londër, për shkak të paragjykimeve për refugjatët.

“Unë shpesh quhesha ‘refugjate’ në një mënyrë nënçmuese. Megjithatë, kisha shumë miq të huaj dhe të gjithë kemi kaluar një kohë të shkëlqyeshme, duke qenë të ndryshëm”, ka thënë ajo.

(r.m.)

Comment

*