Vetëvendosje ankohet në Supreme, nuk e pranon rinumërimin

Prishtinë, 24 nëntor 2017 – Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e votave të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës dhe për kryetar të Prizrenit, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka thënë se konsiderojnë që këto vendime janë të pabaza edhe të motivuara politikisht.

Sipas tij, vendimi i PZAP për rinumërimin e të gjitha votave për kryetar të Prishtinës është marrë në bazë të kërkesës së LDK-së se ka pasur një numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme dhe të fletëvotimeve të zbrazëta.

Ai ka thënë se këto dy pretendime të LDK-së janë të pabaza, pasi që numri i fletëvotimeve është më i ulëti që ka qenë ndonjëherë.

Sejdiu e ka akuzuar PZAP-in se është “i ngarkuar politikisht”.

“PZAP, si duket, është i ngarkuar politikisht dhe ka marrë vendime politike e jo vendime që bazohen në argumente”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shprehur bindjen se Gjykata Supreme nuk do ta bëjë gabimin e PZAP-it dhe do të anulojë vendimin për numërimin e të gjitha votave.

Ai ka shprehur të njëjtin qëndrim edhe në rastin e Prizrenit, ku është ankuar PDK-ja.

Sejdiu ka thënë se nuk do ta pranojnë asnjë rezultat, i cili, siç është shprehur “vjen si rezultat i rinumërimit”, të cilin ai e quajti manipulim me sistemin e drejtësisë dhe me votën e qytetarit. (r.m.)

Comment

*