Vetëvendosje: Arrestimi i Kurtit e Kadaj-Bujupit – persekutim politik

Prishtinë, 27 nëntor 2017 – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të deputetëve të kësaj partie, Albin Kurti e Donika Kadaj Bujupi.

Në reagimin e kësaj partie arrestimi i deputetëve Kurti dhe Kadaj-Bujupi është akt i “persekutimit politik” të Vetëvendosjes.

“Arrestimi i deputetëve është i padrejtë dhe manifestim i qartë i persekutimit politik që po i bëhet Lëvizjes Vetëvendosje, përmes organeve të rendit dhe drejtësisë, të cilat janë të kapura nga protagonistët e Klanit Pronto”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Në reagim thuhet se “kjo luftë speciale” ndaj deputetëve të Vetëvendosjes është “dorëzim” i qeverisë se Ramush Haradinajt “para agjendës” së qeverive paraprake të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës

“Kjo luftë speciale ndaj deputetëve tanë është dorëzim i qeverisë aktuale të Ramush Haradinajt kundruall agjendës së qeverive të mëhershme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilat mbahen mend për cenimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo qeveri dëshmon çdo ditë e më shumë se është vijimësi e shtetit të kapur. Vendosmëria jonë për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës është më e fuqishme se çdo persekutim që mund t’iu bëhet deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, thekson Vetëvendosje. (r.m.)

Comment

*