Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese Marrëveshjen e Demarkacionit

Prishtinë, 29 mars 2018 – Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për shqyrtimin e miratimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili e ka dorëzuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se subjekti politik, të cilit ai i takon, është e bindur se “ka pasur shkelje të rënda të Kushtetutës së Kosovës”.

“Shkelja më e rëndë, të cilën dëshiroj ta potencoj, ka të bëj me sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Siç ka theksuar ai, bazuar në dispozitat e Kushtetutës, “integriteti territorial i vendit është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm”.

“Me këtë vendimin deputetët e kanë shkelur Kushtetutën, sepse kanë miratuar diçka që është antikushtetuese dhe që është delimitim në vend të demarkimit të kufijve. Deputetët e Kosovës kanë përcaktuar kufij të ri gjë që është antikushtetuese, sepse nuk ka qenë mandati i Komisionit shtetëror të krijuar, për përcaktimin e vijës kufitare, siç e kanë quajtur ata”, ka thënë Konjufca. (r.m.)

Comment

*