Vetëvendosje: Dorëheqja e Thaçit – veprim i duhur, por i vonuar

Prishtinë, 5 nëntor 2020 – Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikatë për publikun, e ka quajtur si veprim të duhur, por të vonuar dorëheqjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ajo ka theksuart se Thaçi duhet të kishte dhënë dorëheqje qysh kur ishte njoftuar se Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzën kundër tij.

“E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave“, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje është e bindur se lifta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe ks shfaqur shpresën se të akuzuarit lidhur me këtë luftë do të shpallen të pafajshëm.

“Akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila për ne mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm“, vlerëson Vetëvendosje.

Ko parti opozitare, e cila është forca më e madhe parlamentare në Kosovë, vlerëson se Kosova sot nuk ëshë në gjendje të mbrojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë“, vlerëson Vetëvdendosje.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit, menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje

Morëm vesh sot për thirrjen para Gjykatës Speciale edhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila për ne mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm.

Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave. Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj.

Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj.

(r.m.)

Comment

*