Vetëvendosje e fton Haradinajn në interpelancë për reduktimet e rrymës

Prishtinë, 4 mars 2018 – Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës për reduktimet e mëdha të energjisë elektrike.

Depuetja Albulena Haxhiu ka thënë se kërkesa për interpelancë për këtë temë do t’i dorëzohet qeverisë të hënën.

“Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë. Përveç në Prishtinë, qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë në secilin qytet e fshat. Në këto ditë të ftohta dimri, kjo gjendje është e papërballueshme për qytetarët që jetojnë në varfëri, dhe për ata që jetojnë në zona më të thella. Andaj qysh nesër ne do ta dërgojmë kërkesën për interpelancë me kryeministrin Haradinaj, për të dhënë sqarime për këtë gjendje të rënduar”, ka deklaruar Haxhiu, në një konferencë për medie.

Ajo e ka akuzuar edhe kompaninë për furnizim dhe shpërndarje të energjisë, KEDS, për reduktimet e energjisë elektrike, por edhe mungesën e investimeve në rrjet dhe largimin e punëtorëve nga puna.

“Asokohe, para gjashtë viteve, na thoshin se do të ketë investime që do të garantonin furnizim të pandërprerë me energji elektrike, por, po ashtu, na thuhej se nuk do të largoheshin punëtorë nga puna. Gjashtë vite pas po vërtetohet se që të gjitha kanë qenë mashtrime. Gjashtë vite pas privatizimit, orët e ndërprerjes së energjisë elektrike nuk janë ulur. Përkundrazi, në periudhën e pikut, orët e ndërprerjeve janë rritur. Ulja e humbjeve teknike dhe komerciale nuk ka asnjë përmirësim. Përkundrazi, raportimet zyrtare të Zyrës së Rregullatorit tregojnë për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte publike”, ka shtuar Haxhiu.

Ndërkaq, Naim Hoxha ka kërkuar që kontraktimet për import të bëhen më herët, në mënyrë që të evitohen situatat e mungesës së energjisë elektrike.

“Kontraktimi i importit duhet të bëhet në pajtim me nevojat. Qysh tash duhet të bëhen kontratat për një import afatgjatë me vendet, si Shqipëria, ashtu që ta kontraktojmë më lirë dhe të mundësojmë transfere të energjisë. Nëse importojmë energjinë kur nuk e kemi, atëherë do të jetë më i shtrenjtë”, ka theksuar ai.

Hoxha ka kërkuar të përshpejtohet plani i remontit të Termocentrsalit “Kosova B” dhe të hiqet dorë nga projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin ka thënë se do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. (r.m.)

Comment

*