Vetëvendosje e quan akt politik arrestimin e tre deputetëve të saj

Prishtinë, 24 nëntor 2017 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar menjëherë pas arrestimit të tre deputetëve të kësaj partie: Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Donika Kadaj-Bujupit.

Sipas tij, arrestimi i tre deputetëve është bërë ‘’me urdhër politik”

“Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës – Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti – u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia e Republikës së Kosovës me urdhra politikë, duke hyrë në seancë. Pra, tre deputetët ishin duke ardhur në seancën e cila është thirrur për sot”, ka deklaruar Ymeri, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se arrestimi i tre deputetëve është vazhdimësi e “përndjekjes masive” së aktivistëve të Vetëvendosjes, ndërsa gjykimin e deputetëve të arrestuar, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës e quan të padrejtë.

“Ky është edhe një rast ose vazhdimësi e një përndjekje masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht kohëve të fundit, me dënimin e katër aktivistëve tonë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në këtë rast, për shkak të protestës tonë meqë rast e mbrojtëm sovranitetin e republikës dhe integritetin territorial e vendit”, ka theksuar Ymeri.

Sipas tij, koalicioni në pushtet “po synon ta dhunojë votën e lirë të qytetarëve” dhe “po vazhdon përndjekjen e persekutimin” e Vetëvendosjes.

“Është e njëjta klikë e pushtetit, e cila në njërën anë po synon që ta dhunojë votën e lirë të qytetarëve përmes vendimeve skandaloze që i pamë dje në PZAP dhe KQZ, dhe të cilët po vazhdojnë njëkohësisht ta përndjekin secilin aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak e po duan ta përndjekin dhe persekutojnë Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që vullneti i tyre politik, e që është vullnet i lidhur me krimin e korrupsionin, të ngadhënjejë në Republikën e Kosovës”, ka theksyar kryetari i Vetëvendosjes.

Arrestimi i deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi tre deputetët nuk janë paraqitur në seancën gjqësore ndaj tyre, të mërkurën.

Deputetët Kurti, Haxhiu dhe Bujupi akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, për shkak se kanë hedhur gaz lotësjellës në Kuvendin e Kosovës. Ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. (r.m.)

Comment

*