Vetëvendosje e quan politik dënimin e katër aktivistëve të saj

Prishtinë, 17 nëntor 2017 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, e ka quajtur akt politik dënimin e katër aktivistëve të kësaj partie, të shpallur fajtorë pë sulmin me mortajë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Ymeri ka theksuar se dënimi i këtyre aktivistëve synon “ta mbulojë” vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Dënimi i sotëm i katër aktivistëve dhe pastaj burgosja e tre prej tyre nga Gjykata Themelore dëshmon që ky rast është kryekëput politik. Dënimi pa asnjë dëshmi e zhvendos dënimin nga parimet e ligjit tek ndikimet politike. Ky dënim ka për qëllim të arsyetojë masat drastike të ndjekjes që ia morën jetën Astrit Deharit. Vendimi nuk sjell drejtësi, nuk e zbardh rastin, por synon ta mbulojë vdekjen e Astritit”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, shpallja e vendimit të gjykatës ndaj katër aktivistëve të vetëvendosjes vetëm dy ditë para zgjedhjeve të balotazhit ka për qëllim dëmtimin e kësaj partie.

“Vetë data kur jepet ky vendim tregon se synim i dënimit ka qenë dëmtimi i Vetëvendosjes. Kjo nuk do ta ndalë Vetëvendosjen, por tregon qartë se sa thellë dhe rrezikshëm është kapur shteti i Kosovës”, ka theksuar Ymeri.

Deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Dardan Molliqaj, ka thënë se dënimi i katër aktivistëve të kësaj partie me 21 vjet e gjysmë burg për terrorizëm “është krejtësisht politik dhe i varur pa asnjë fakt a dëshmi”. Ai ka shprehur bindjen se ky rast do të përfundojë me pafajësinë e të akuzuarve.

“Mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se ky rast do të përfundojë me pafajësi të plotë për aktivistët tanë. Ata janë të pafajshëm, sepse ashtu thonë provat dhe dëshmitë”, ka thënë Molliqaj.

“Nuk ka asnjë dëshmitar që fajëson dikë prej aktivistëve. Madje edhe dëshmitari kryesor ka deklaruar se nuk mund të thotë nëse ndonjë nga aktivistët është blerës i motoçikletës. Nuk ka asnjë raport të asnjë institucioni vendor apo ndërkombëtar që thotë se aktivistët tanë kanë kryer veprën në fjalë”, ka theksuar ai.

Molliqaj ka theksuar se Vetëvendosje do t’i dërgojë në burg partnerët e koalicionit të kaluar qeverisës, PDK-në dhe LDK-në, të cilët i ka etiket uar si “Klann pronto” dhe “Klani i dorëzimit”. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë edhe në qoftë se në liri mbetet “vetëm një aktivist i Vetëvendosjes”

“Nuk do të dorëzohet pa i çuar të dyja këto klane në burg. Me këta njerëz nuk ka drejtësi, as demokraci”, ka theksuar ai në përfundim të reagimit të tij. (r.m.)

One Response to “Vetëvendosje e quan politik dënimin e katër aktivistëve të saj”

Read below or add a comment...

  1. Gallapi says:

    Shpallja e dënimit ndaj të rinjve shqiptarë, Adeas, Frashërit, Egëzonit dhe Atdheut, edhe një dëshmi se “gjyqësori” jugo-kosovar, po i rikthehet praktikës së vjetër, asaj të para Luftës së Famëmadhes UÇK!
    Për mua si bashkëkombës i këtyre studentëve të shkëlqyeshëm dhe njohës solid i lëmisë ushtarake, të gjitha përpjekjet e prokurorisë për arsyetimin e të “gjeturave”, të siguruara nëpërmjet ndonjë zarfe, që ua përplasën fytyrës (sepse këta e kanë fytyrën shollë këpucësh) mujsharët-urdhërdhënës të saj, dhe të publikuara në mjetet e informimit, më bëjnë të dyshojë, se janë të pa qëndrueshme!
    Në të “gjeturat” e prokurorisë, në mes tjerash thuhet se natën kritike u godit ndërtesa e Kuvendit të Kosovës nga një raketë “Zolja”- e cila lançohet nga krahu. (Me siguri kanë harruar apo nuk kanë ditur ta cekin, se kanë aluduar në raketë M 80 “Zolja” cal. 64 mm, të prodhimit serbijan).
    Çfarë ishte pra, dëmi i shkaktuar nga kjo predhë, me largësi efikase të veprimit deri në 220 metra dhe, me efekt depërtues 300mm në blindat e prodhuara nga çeliku homogjen?
    Përgjigja e “hetuesve”, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës, vërtetë është jo vetëm joprofesionale, por shumë e mjerë! Jo vetëm për ata, por edhe për institucionet e Kosovës, në veçanti dhe popullin e saj në përgjithësi!
    Thonë: u thye e një tulle e gjysmë dhe katër gjysmëdritaret e Kuvendit të Kosovës, në rrethin e ngushtë të pikës së goditur!
    Me siguri, diçka tjetër do të ndodhte po të goditej nga një raketë e cal 64 mm!!!
    Kam bindjen e plotë, se familjet e këtyre të rinjve atëmemëdhedashës, edhe këtë goditje, jo të lehtë që morën sot nga pushteti i vendit për të cilin, jo pak kanë sakrifikuar, do ta përballojnë me stoicizëm, duke e shndërruar dhembjen në forcë dhe krenari!

Comment

*