Vetëvendosje është kundër Speciales, por s’i beson Thaçit

Prishtinë, 4 janar 2018 – Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka deklaruar se partia e tij është duke e përcjellë me kujdes iniciativën për zhbërje të Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se iniciativa e 43 deputetëve është “lojë politike” e presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe ka theksuar se është i habitshëm ndryshimi i qëndrimit të PDK-së lidhur me këtë gjykatë

“… jemi duke i konsideruar lojërat politike lidhur me Specialen, sepse na duket i çuditshëm ndryshimi i qëndrimit të PDK-së. Ishte Hashim Thaçi që më 2015 i dha shumë zor që Specialja të votohej, bile një herë pat rënë. Pastaj presidenti i takonte edhe nëpër kafene deputetët që të bënte presion që ajo të votohej. Çka u bë që tash, pas dy vjetësh, ndërroi mendje”, ka deklaruar Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së partisë.

Konjufca ka shprehur bindjen se ndryshimi i qëndrimit të PDK-së ndaj Speciales ka të bëjë me “shqetësimet personale” të Thaçit.

“Mendoj që lidhet direkt me shqetësimet personale të Thaçit”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se Vetëvendosje është kundër Speciales, por heziton ta përkrahë iniciativën e fundit për zhbërjen e saj, për shkak se Thaçi gjithnjë e ka dëmtuar  Kosovën për interes të vetin personal.

“Dominoi mendimi që Vetëvendosja është kundër Speciales. Sikurse në kohën e votimit kundër formimit të saj, mendojmë se ajo e ndan Kosovën dhe ka premisa diskriminuese dhe këto i kemi shpjeguar. (. ..) Mirëpo, frika jonë që çdo iniciativë që e ka prezantuar në të mirë të Kosovës dhe e ka kthyer në të mirë të vetes, duke e dëmtuar Kosovën, na bën të hezitojmë dhe ta përcjellim me më shumë kujdes këtë iniciativë në të cilën ndikimin e vet e ka Thaçi”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shpjeguar se ka ka pasur një takim me përfaqësues të partive të koalicionit qeveritar, për t’u njohur me idenë e tyre për shfuqizim të Speciales.

“I kam dëgjuar me kujdes, sepse Vetëvendosjes i janë dashur qëndrimet e tyre për të vendosur se si të veprojmë më tutje”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se çështja është më komplekse se sa paraqitet nga grupi i deputetëve të partive të koalicionit qeveritar, prandaj Vetëvendosje po i analizon format e veprimit.

“Ne jemi kundër, por modalitetet jemi duke i formuluar se si do të veprojë Vvetëvendosja, sepse çështja nuk është aq e thjeshtë. Kemi të bëjmë menjë  nen të Kushtetutës. Nuk është Specialja vetëm një ligj që mund të shfuqizohet. Duhet të analizojmë me vëmendje se çka mbetet dhe nëse ligji i mendon edhe koncepton mekanizmat vendorë të Speciales. Çka nëse ata paralizohen? Mund të ketë situatë të ndërlikuar. Për akuzat që ngrihen nga gjykata marrin masa institucionet ndërkombëtare, si KFOR-i dhe EULEX-i, nëse nuk veprojnë ata vendorë. Para se të veprojmë do të analizojmë me vëmendje”, ka shtuar Konjufca. (r.m.)

Comment

*