Vetëvendosje: Marrëveshja e Uashingtonit shkel Kushtetutën e Kosovës

Prishtinë, 8 shtator 2020 – Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton marrëveshjen për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington.

Sipas kësaj partie, kjo nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën shkejlje të  Kushtetutës së Kosovës.

Zyrtarë të Vetëvendosjes e kontestojnë pikën 7 të marrëveshjes, ku Kosova dhe Serbia pajtohen të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit.

“Për herë të parë, një kryeministër i papërgjegjshëm u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë. Resureset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Këtë e përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës”, tha nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një konferencë për media në Prishtinë.

“Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, ai e bën një krim të madh”, theksoi Konjufca.

Albulena Haxhiu, gjithashtu nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në pikën 7 të marrëveshjes përmendet termi “ndarje” për Liqenin e Ujmanit.

“Termi ndarje që është përdorur në këtë marrëveshje ka kuptimin e pjesëmarrjes së Serbisë në pronësinë, kontrollin dhe menaxhimin e një pjese të këtij liqeni”, tha Haxhiu.

Sipas saj, kjo pikë e marrëveshjes është në kundërshtim me Nenin dy, paragrafi dy të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq, Konjufca tha se me pikën e 15-të të Marrëveshjes së Uashingtonit shkilet edhe Neni 17, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës.

“Përse Qeveria e Kosovës pranon që të pezullohen përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare? Ky është një lëshim i madh. Neni 17, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës thotë se Kosova anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Nënshkrimi i Hotit e shkel Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Konjufca drejtoi Kritika në adresë të Delegacionit të Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti edhe për shkak se pranoi që Kosova të bëhet pjesë e “mini-Shengenit“ ballkanik.

“Gatishmëria e kryeministrit Hoti që të hyjë në zonën e lirë ekonomike, të propozuar nga Serbia, është po ashtu një gabim i madh”, tha Konjufca.

Ai shtoi se kjo është përpjekjse e Serbisë, siç u shpreh, “për ta hequr kufirin mes Kosovës dhe Serbisë pa e njohur Kosovën”.

Konjufca po ashtu paralajmëroi hapa për mocion për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

(r.m.)

Comment

*