Vetëvendosje paraqet propozimin e saj për dialogun e Kosovës me Serbinë

Prishtinë, 21 maj 2018 – Lëvizja Vetëvendosje ua propozoi institucioneve tw Kosovës një plan të saj për dialogun me Serbinë.

Publimin e planit, i cili është quajtur “Plan 4+1”, e prezantoi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai shpjegoi se ky propozim i përmban katër pika:

1) Të bëhet bilansi shtetëror i dialogut 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të ketë debat parlamentar;

2) Të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucione dhe në shoqëri dhe të zhvillohet debate në Kuvend para dialogut e për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën, për qëllimet dhe formatin;

3) Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu;

4) Të ketë pajtim që në Kosovë të mos ketë asnjë shmangie nga prioretizimi i punësimit dhe drejtësisë, si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim.

Pika e fundit për të cilën foli Kurti ka të bëjë me personat që do ta drejtojnë këtë proces, duke thënë se në asnjë rast ata nuk duhet të jenë presidenti Hashim Thaçi apo ish-ministrja për dialog, Edita Tahiri.

Kurti theksoi se implementimi i propozimit të Vetëvendosjes është e vetmja mundësi për përmbyllje të suksesshme të dialogut me Serbinë.

Ai e akuzoi përsëri presidentin Hashim Thaçi që në bisedimet e deritashme nuk është shtruar çështja e të pagjeturve dhe ajo e dëmeve të luftës.

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje tha se për gjashtë vjet presidenti Thaçi e heshti çështjen e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia në Kosovë dhe nuk e paditi Serbinë për këto krime. (r.m.)

Comment

*