Vetëvendosje: Prokuroria të hetojë Telekomin, Qeveria ta shpëtojë nga falimentimi

Prishtinë, 3 qershor 2018 – Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me krizën financiare në Telekomin e Kosovës.

Kryetari i partisë, Albin Kurti, dhe eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, kanë thënë se kriza financiare në këtë kompani publike, e cila gjendet në prag të falimentimit, është pasojë e krimit dhe korrupsionit.

“Janë bërë krime e, s’janë bërë hetime. Kanë përfituar bizneset e janë dëmtuar qytetarët. Telekomi vazhdimisht është kërcënuar me privatizim”, ka thënë Kurti, transmeton KTV.

Profesori Hamiti ka shpalosur një listë të njerëzve përgjegjes për gjendjen në Telekomin e Kosovës. Ai ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për shpëtimin e kompanisë nga falimendimi, ndërsa prokuroria duhet të hetojë krimet ekonomike që janë kryer në këtë kompani.

“Qeveria duhet të krijojë një ekip që Telekomi të shpëtohet, ndërsa Prokuroria duhet të nisë hetime”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se Prokuroria e Shtetit e ka në dorë shpëtimin e Telekomit të Kosovës.

“Telekomi është në gjendje të keqe, aq të keqe sa nuk mund t’i mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse, përkundër faktit që Telekomi i Kosovës, sikurse të tjerët në botë, janë fitimprurës. Unë s’e di as një rast në botë të ketë falimentuar, pasi Telekomi, si shërbim, është shumë fitimprurës”, ka thënë Hamiti.

Ai ka thënë se përgjegjëse për gjendjen aktuale në këtë kompani janë të gjitha qeveritë e pasluftës.

“Përgjegjëse për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe qeverinë aktuale. Këta kanë vepruar në një vazhdimësi kundër një interesi publik. Ata fillimisht kanë eliminuar kuadrot më të mira të Telekomit” ka thënë ai.

Kurti dhe Hamiti e kanë kritikuar vendimin për shtyrjen e afatit për implementimin e kodit shtetëror të telefonisë.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, ka deklaruar se implementimin e kodit telefonik shtetëror 383 për Republikën e Kosovës është shtyrë deri më 31 tetor, për shkak të krizave të vazhdueshme që ka pasur Telekomi i Kosovës. (r.m.)

Comment

*