Vetëvendosje; Thaçi shpif, fyen dhe nxit përçarje e mosdurim

Prishtinë, 15 maj 2020 – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj akuzave publike të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave në detyrë, Arben Vitia dhe Xhelal Sveçla.

Në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje e akuzon Thaçin ka shpifur, ka fyer dhe ka nxitur përçarje e mosdurim dhe bën të ditur se po e konsideron edhe mundësinë e ngritjes së padisë ndaj tij..

“Presidenti edhe një herë tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë pa dyshim të qëllimshme dhe, marrë parasysh institucionin që e përfaqëson, janë edhe të papranueshme”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

‘Akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit’, thuhet në reagim.

Presidenti Thaçi, në një konferencë për medie, akuzoi Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat Vitia dhe Sveçla për dërgim selektiv në karantinë të qytetarëve që kthehen në Kosovë nga jashtë, për rastin e vdekjes së të riut nga Gjilani në Qendrën e Studentëve dhe për atë që ai e quajti “sulm i mundshëm” ndaj deputetit Behgjet Pacolli, me rastin e kthimit të tij nga Zvicra.

Reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje;

Reagim për të pavërtetat e Presidentit deklaruar sot në konferencë për media

Presidenti edhe njëherë sot gjatë konferencës për media tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme.

Për tre të pavërtetat më të fundit ne po konsiderojmë që t’i drejtohemi organeve të drejtësisë, sepse gjithë sa Presidenti tha është shpifje, fyen rëndë integritetin tonë politik, por edhe njerëzor dhe nxit përçarje e mosdurim.

Të tre këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që dikush të marrë guximin të thotë që kemi të bëjmë me ‘shtyrje në vetëvrasje’. Përpjekja e Presidentit për të manipuluar politikisht vdekjen tragjike të një të riut tonë, pa i pritur as rezultatet e hetimeve zyrtare, është e patolerueshme në një shoqëri të civilizuar. I ndjeri dhe familja e tij nuk meritojnë një trajtim të tillë nga askush, lëre më nga një zyrtar i lartë shtetëror që, sipas Kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit.

Akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit.

Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jorrallë edhe në mungesë të humanitetit.

(r.m.)

 

 

Comment

*