Vetëvrasja e një shoferi dhe vetëvrasja e një imazhi

Ruben Avxhiu

Në Tiranë, shoferi i ministrit të Brendshëm mund të ketë vrarë veten dhe arsyeja se pse shumëkush nuk e beson këtë tragjedi personale e familjare të një të riu është shenjë e krizës së madhe të besimit që ekziston në vend.
Në një botë ideale, versioni i transmetuar nga vetë Policia duhej të ishte përfundimtar dhe të mbyllte çdo hamendje në median serioze të vendit.
Po në Shqipëri nuk jetohet në një botë ideale.
Do të kishte qenë shumë më e lehtë nëse ministria e Brendshme të mos rrethohej me aq shumë dyshime e mistere. Ministri i mëparshëm është i dyshuar për lidhje me tregëtinë e drogës. Ndoshta ishte rastësi që makinë e regjistruar në emër të tij përdorej për trafik droge nga dy të afërm. Ndoshta ai vërtet ka harruar ta deklaronte, ka harruar ta çregjistronte nga emri i tij. Ndoshta është rastësi që po këta dy kushërinj kapen në Itali si trafikantë droge, pasi janë përgjuar në telefon në biseda që implikojnë ish-ministrin. Mbase është vërtet rastësi dhe ka një Saimir tjetër në jetën e tyre.
Mbase është rastësi që edhe ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka gjithashtu një të afërm me probleme me ligjin.
Në një botë ideale, kryeministri Edi Rama do të vlerësonte më shumë ndjeshmërinë publike sesa marrëdhëniet e tij personale me një ministër dhe do të kishte zgjedhur një person të tretë, në vend të Fatmirit. Në një botë ideale, Rama do ta kuptonte rëndësinë e imazhit të qeverisë së tij, sidomos pas skandalit lidhur me ministrin Tahiri. Në një botë ideale, një kryeministër i kujdesshëm, i pastër dhe i përgjegjshëm do të kishte kërkuar një shenjt për postin e ministrit të Brendshëm që të mos detyrohej të bënte një mijë sqarime jashtë dhe brenda vendit, që të mos vihej në pozita qesharake në konferenca shtypi etj. Në një botë ideale, Fatmir Xhafaj do ta kuptonte drejt situatën.
Në një botë ideale nuk do t’i merrnim seriozisht akuzat e opozitës për këto rastësira, po nuk jetojmë në një botë ideale dhe bashkë me tragjedinë e mëngjesit të sotëm u bënë shumë rastësira njëra mbi tjetrën në këtë ministri të Brendshme. Në një kohë kur pikërisht për arsye të problemeve me rendin e me ligjin, Shqipëria sorrollatet pa dinjitet në pritje të ftesave e fazave për bashkim me familjen europiane. Në një botë ideale, kryeministri do t’i kishte thënë Fatmir Xhafajt se më vjen keq po besnikëria ime e parë është me shansin historik të Partisë Socialiste për të sjellë një ndryshim të madh në jetën e Shqipërisë. Se nuk mund të lejoj që arritjet e rëndësishme të qeverisjes ime të ndyen e të harrohen për shkak të “rastësive” që nuk ndalen në këtë kënd të kabinetit. Se besnikëria ime më e madhe është me Shqipërinë që të hyjë më në fund në rrugën e bisedimeve për anëtarësim në BE. Po në një botë ideale, mbase kjo bisedë nuk do të ishte zhvilluar fare sepse Xhafaj do të kishte dhënë vetë dorëheqjen ose do të kishte refuzuar që në fillim postin. Po vetëm në Shqipërinë tonë joideale ia vlen barra qeranë, ia vlen të bëhesh ministër i të vetmes ministri për të cilën dyshohesh se mund të mos jesh i lirë të punosh i qetë.
Njerëzit duhen gjykuar për veprimet e tyre. Bill Clinton ishte President i Amerikës, i vëllai ishte një burgaxhi pijanec. Po Clinton ishjte zgjedhur nga vullneti i popullit, jo i emërur nga kryeministri. Fatmir Xhafaj mund të jetë tërësisht i pastër. I vëllai ndoshta nuk është aq i përlyer sa e bëjnë. E gjitha kjo mund të ketë zero ndikim në aftësinë e tij për ta drejtuar me pastërti e profesionalizëm ministrinë e Rendit Publik. Mirëpo, kjo mundësi në botën tonë joideale u dogj nga paraardhësi i tij. Një ministër Rendi me të afërm të implikuar është normale. Dy radhazi është një problem. Aq më tepër kur në rastin paraprak të afërmit arritën me apo pa vullnetin e tyre ta përfshijnë në llum edhe kushëririn ministër.
Në një botë ideale, pavarësisht nga këto dyshime, një udhëheqës historik si Sali Berisha, do të priste të paktën 24 orë nga vdekja e të riut, për ta shpallur vetëvrasjen si vrasje për mbulim gjurmësh. Në një botë ideale do të prisnim nga pak të gjithë përpara se ta kthenim një vdekje në çështje politike. Do të prisnim më shumë të dhëna, më shumë kontekst. Më shumë ndjeshmëri për familjen, miqtë e kolegët. Në një botë ideale, opozita duhej të kishte qenë më e pastër në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit kur ishte vetë në pushtet për të folur me zë të lartë e të besueshëm për këto tema. Në një botë ideale, opozita nuk do të përbëhej nga po ata njerëz që ndanin të njëjtën qeveri me ministrin Tahiri dhe tani bëjnë sikur kanë qenë përjetësisht në opozitë. Në një botë ideale, njëra nga partitë e opozitës do të kishte qenë elementi më i përfolur për korrupsion, në të dy qeveritë e koalicionit të majtë e të djathtë, e përsëri është ajo që bërtet më fort kundër korrupsionit.
Po ne nuk jetojmë në një botë ideale. Në botën ideale – mbase – nuk jeton askush, po në Shqipëri ndjehet edhe më vulgare. Një ëndërr e keqe nga e cila as nuk po zgjohemi dot e jo më të Rilindemi.

2 Responses to “Vetëvrasja e një shoferi dhe vetëvrasja e një imazhi”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Elshani says:

    Meqenese bota ideale nuk ekziston, atehere te pakten, sikur te jetonim ne nje bote normale. Per fat te keq tonin, Shqiperia eshte shume larg edhe nga kjo bote.

  2. fani says:

    Shqinja Hyne ne boten e TREte
    .thote I kame kryer deyrat, mere zero, ngel.et ne klase.
    Bota ideal per shqiperin eshte me ndejt pase
    dyrve te Europe.vrasja eshte misterioze.
    Me mire te mos ish te publisher
    veten vdiq rrethna pa qarta????

Comment

*