Visar Ymeri jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje

Prishtinë, 2 janar 2017 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë, anëtarit të Kryesisë dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Këtë e ka kumtuar vetë Visar Ymeri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, në selinë qendrore të partisë.

“Që nga ky moment unë dorëhiqem nga të gjitha pozitat e mia në Lëvizjen Vetëvendosje. Dorëheqja ime është e parevokueshme”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se ka dhënë dorëheqje për shkak të zhvillimeve të fundit brenda partisë.

“Jap dorëheqje për shkak të paknaqësive ndaj këtyre ndodhive. Shpresoj që kjo dorëheqje të kuptohet si alarm i atyre që përdorën metoda për linçim e insinuata”, ka thënë ai.

Ai ka pranuar se problemet në kreun e Vetëvendosjes kanë nisur prej më shumë se një viti.

“Ky është një nga vendimet më të vështira në jetën time. Ka më shumë se një vit që jemi duke u marrur me një problem, jemi munduar që ta mbajnë të bashkuar”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se “ky vit i fundit ka filluar t’i rrënojë themelet e partisë” dhe ka treguar se “një grup që thirret në emër të Albin Kurtit” kanë linçuar dhe fyer njerëzit që mendojnë ndryshe.

“Njerëzit që janë thirrur në emër të Albin Kurtit kanë linçuar e kanë fyer”, ka thënë Ymeri.

Ai ka treguar se kohët e fundit ishte shpërfillur nga një pjesë e strukturës drejtuese të partisë.

“Kohëve të fundit ka pasur intensitet të shpërfilljes sime si kryetar. Në këto rrethana është e pamundshme të veprosh. Shpresoj që kjo të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën kemi ardhur. Unë shpresoj që njerëzit këtu t’i thërrasin mendjes e të mos e shkatërrojnë Lëvizjen për inate personale”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ymeri ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje “asnjëherë nuk ka pasur qëllim vetërealizimin e pjesëtarëve të saj”.

Dorëheqja e Ymerit erdhi pak javë pasi në këtë parti dolën në pah përçarjet midis figurave kryesore të saj.

Ndërkohë, Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes ka shpallur zgjedhjet për kryetar të partisë.

Tash për tash, Albin Kurti është i vetmi kandida për kreun e partisë. (r.m.)

Comment

*