Viti i mbrapshtë i Kosovës

Ramadan Muçolli

Asgjë nuk i shkon më mirë përkufizimit të vitit 2017 në Kosovë se titulli i romanit “Viti i mbrapshtë” i shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Qytetarët e ndershëm të Kosovës do të donin që ky vit të mos ishte i tillë, që ky vit të ishte vit i zhvillimit e përparimit të shtetit dhe shoqërisë kosovare, por ai nuk ishte i tillë. Përkundrazi. Ky ishte vit i ngecjes, ngërçit e tensioneve të mëdha politike, vit i polarizimit të skajshëm të skenës politike të Kosovës.

Gjatë gjithë këtij viti, jetën politike në Kosovë e dominuan të njëjtat tema, të cilësuara si “tema të mëdha” nga një pjesë e skenës politike apo si “kauza politike” nga pjesa tjetër e kësaj skene.

Ky polarizim, i veshur edhe me petkun e patriotizmit, çoi edhe në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat e prodhuan një koalicion qeveritar tepër të brishtë, një shumicë parlamentare të varur plotësisht nga një subjekt politik i rijuar, i kontrolluar dhe i dirigjuar nga Beogradi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe procesi i stërgjatur i krijimit të koalicionit të ri qeveritar i “spostuan” nga axhenda politike e shtetërore e Kosovës të gjitha “temat e mëdha” (“kauzat politike”) që i mbajnë peng pothuaj të gjitha proceset tjera politike në vend.

Kështu, gjatë vitit 2017, mbetën të paprekura tri temat politike kryesore: Demarkacioni me Malin e Zi, Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe Dialogu i Brukselit.

Asnjë lëvizje përpara nuk është bërë në këto tema gjatë vitit 2017.

Paradoksi qëndron në faktin se këto tema tani mbahen të bllokuara edhe nga vetë parnerët e të koalicionit qeveritar, të cilët veprojnë në mënyrë krejtësisht të çakorduar, përveç kur e ndajnë “plaçkën” e pushtetit.

Asnjë lëvizje përpara nuk është bërë as për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili kushtëzohet me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe me luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, sidomos të atij të “profilit të lartë”.

Vetëkuptohet që këto tri “tema të mëdha” i kanë vënë në plan të dytë apo të tretë dy procese jetike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës: procesin e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ka plot argumente se akterët kryesorë politikë të Kosovës, përmes sjelljes e veprimeve të tyre të papërgjegjshme dhe arrogancës së tyre të pashembullt, i dhanë shumë goditje të rënda shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare.

Por, goditjen më të rëndë Kosova e mori në përfundim të këtij viti të mbrapshtë, me përpjekjen për zhbërjen e Gjykatës Speciale. 43 deputetë të koalicionit të çakorduar qeveritar nënshkruan një kërkesë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale (emërtimi zyrtar: Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar).

Kjo ishte një goditje e rëndë edhe kundër mbështetësve më të fuqishëm të Kosovës Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, e cilësoi këtë akt si “thikë mbas shpine” për SHBA-të, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit tërhoqi vërejtjen se Kosova po rrezikon të humbë mbështetjen Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht prej argumenteve dhe pseudoargumenteve të parashtruesve të kërkesës, më saktë të liderëve të tri partive kryesore të koalicionit dhe drejtuesve të institucioneve më të larta shtetërore, përpjekja për zhbërjen e Speciales e ktheu Kosovën në vitin 2015, në kohën kur ishte miratuar amendamenti i Kushtetutës që i hapte rrugë krijimit të Speciales dhe, pastaj, miratimit të ligjit për këtë gjykatë.

Ka rrezik që kjo iniciativë ta kthejë Kosoven edhe shumë më prapa, në vitin 1999 apo me herët, dhe t’i ndajë përsëri qytetarët e Kosovës në “çlirimtarë” e “pacifistë”, në “heronj” e “tradhtarë”… Shenjat e para tashmë po duken qartazi.

Tashmë të gjithë e dinë se cilat kanë qenë pasojat e kësaj ndarjeje. Plagët e saj nuk janë shëruar ende.

Qytetarët e ndershëm e të devotshëm të Kosovës urojnë që viti 2018 të jetë vit i mbarë për shtetin e Kosovës.

 

Prishtinë,

31 dhjetor 2017

Comment

*