Vitin e ardhshëm pritet ulje e normës së interesit për kredi

Prishtinë, 5 nëntor 2018 – Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar se norma e interesit për kredi do të ulet gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas tij, përmes kësaj uljeje do të lehtësohet qasja në financa në sektorin bankar dhe në anën tjetër do të rritet edhe shkalla e ndërmjetësimit financiar.

“Sa u përket normave të interesit në kredi kemi zhvillime pozitive në këtë kontekst, për faktin se me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion norma efektive e interesit në kredi për biznese dhe ekonomi familjare shënon 6.34për qind. Nëse e shohim normën efektive të interesit të kredive vetëm për biznese shënon 5.85për qind, derisa nëse shohim normën efektive të interesit për kredi hipotekare shënon prej 4 deri në 5për qind”, ka thënë Mehmeti për Ekonomia Online.

“Kjo ka bërë që të rritet dhe të lehtësohet qasja në financa në sektorin bankar dhe në anën tjetër të rritet edhe shkalla e ndërmjetësimit financiar. Duhet ta potencoj faktin se diku rreth 70për qind e kredive u dedikohet bizneseve dhe kjo e tregon rolin e sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë së vendit”, ka shtuar ai.

Guverenatori Mehmeti ka treguar se depozitat bankare i tejkalojnë 3 miliardë euro dhe se 70për qind e tyre u përkasin ekonomike familjare.

“Depozitat arrijnë 3.13 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 5.8për qind. Mse 70për qind të depozitave u përkasin ekonomive familjare, ndërkaq pjesa tjetër i përket bizneseve. Ulja e normave të interesit prej vitit në vit dhe konkurrenca në rritje në sektorin bankar janë faktorët kryesorë që na bëjnë të besojmë se norma e interesit do të ulet edhe më tutje”, ka thënë ai.

Sa u përket institucioneve mikrofinanciare të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, Mehmeti ka thënë se ato janë të rëndësishme për ekonominë e vendit.

“Nëse e shohim në baza ditore, në këtë sektor kemi diku 34për qind rritje të kredive. Në anën tjetër, norma e kredive performuese në këtë sektor është 2.6për qind dhe ne jemi të interesuar ta ruajmë si sektor. Mirëpo, jemi të interesuar edhe të bëjmë një zgjidhje për këto institucione mikrofinanciare që e kanë statutin e OJQ-ve, një zgjidhje që është e pranueshme edhe për shtetin e Kosovës, por edhe për këto institucione”, ka thënë guvernatori iKosovës. (r.m.)

Comment

*