Vitin e kaluar, Kosova eksportoi mallra me vlerë prej 378 milionë eurosh

Prishtinë, 17 korrik 2018 – Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar eksporti i mallrave shënoi rritje të konsiderueshme vitin e kaluar. Vlera e eksportit të mallrave të eksportuar gjatë vitit 2017 arriti në 378.0 milionë euro ose 22.1 për qind më e lartë se në vitin 2016, kur kishte madje rënie prej 4.8 për qind.

Rritja e vlerës së eksportit të mallrave gjatë kësaj periudhe i atribuohet kryesisht rritjes së eksportit të metaleve bazë, të cilat kanë edhe pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e eksporteve të përgjithshme të vendit (rreth 35.8 për qind).

“Rritja e çmimit të metaleve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2017, rezultoi në rritjen e vlerës së gjithsej eksporteve të metaleve bazë”, thuhet në raportin vjetori të BQK-së, transmeton televizioni publik.

“Me rritje u karakterizua edhe eksporti i ushqimeve të përgatitura, produkteve të plastikës dhe gomës, eksporti i mineraleve, etj”, thuhet më tutje në raport.

“Rritja e eksportit të mallrave rezultoi në rritjen e shkallës së mbulueshmërisë së importeve me eksporte nga 11.1 për qind, sa ishte në dhjetor 2016, në 12.4 për qind në dhjetor 2017”, thuhet në raportin vjetori të BQK-së. (r.m.)

Comment

*