Vjen hamburgeri pa mish që i kënaq mishngrënësit

Pas vitesh pune kërkimore dhe rreth 400 milionë dollarë fonde, kompania “Impossible Foods” ka futur në tregun vegjetarian produktin më të fundit të hamburgerave pa mish. Qëllimi i kësaj kompanie të re nga Kalifornia është të bëjë një produkt natyror dhe organik, i cili do t’u japë njerëzve kënaqësinë e të ngrënit të mishit, por pa kolesterol, antibiotikë, hormone, bakterie të dëmshme… dhe mbi të gjitha – pa mish fare.

Ka pamjen e mishit, skuqet në zgarë si mishi, ka shijen e mishit, por nuk është mish.

“Hamburgeri i Pamundur” është prodhuar i gjithi nga bimët dhe me vetëm një pjesë të vogël të mundimit që duhet për të prodhuar një hamburger nga mishi. Shumë prej mishngrënësve thonë madje se u pëlqen më shumë.

Ky hamburger vegjetarian ka katër përbërës bazë: grurë, i cili ofron proteinën; patate, e cila lidh elementet së toku; esencë arre kokosi, e cila i jep lëngshmërinë; si dhe një përbërës të katërt të veçantë.

“Vetëm ne e kemi këtë përbërës të quajtur ‘heme’, i cili gjendet jo vetëm në gjakun e kafshëve, por edhe tek bimët. Ne ia dolëm mbanë ta prodhojmë nga një burim natyror bimor dhe si rezultat kemi një hamburger që ka karakteristikat e një hamburgeri nga mishi”, thotë David Lee, drejtor i kompanisë “Impossible Foods”.

Tal Ronnen, kuzhinier dhe pronar i një restoranti të rëndësishëm vegjetarian në Los Anxheles, thotë se kjo tashmë po ndryshon gjithçka.

“Ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit perceptojnë hamburgerin. Megjithëse ne jemi restorant vegjetarian, ky produkt ka qenë ndër më popullorët”, thotë zoti Ronnen.

Restoranti “Umami Burger” është i specializuar për hamburgerat gourmet dhe thotë se tashmë po shtohet kërkesa për “Hamburgerin e Pamundur”.

Ky është një lajm i mirë për kompaninë që e prodhon.

“E krijuam kompaninë me synimin që të kemi një ndikim global. Krahas SHBA-së, kemi filluar operacionet edhe në Hong Kong, nga i cili shpesh fillojnë tendencat e reja ushqimore për Azinë”, thotë zoti Lee.

Fabrika e re e kompanisë në Oklahoma ka kapacitetin për të prodhuar mbi 5 milionë e gjysëm “Hamburgera të Pamundur” në muaj… Ky kapacitet prodhimi na bën të besojmë se së shpejti ky produkt do të shfaqet në menutë e restoranteve në gjithë SHBA-në dhe në mbarë botën.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*