Vjeshtë 1976, Ambasada Shqiptare në Romë, përpjekje për botimin e librave “Kështjella”, “Njeriu me top” dhe Veprën 19 të Enver Hoxhës

Ylli Polovina

Pjesa e dytë ciklit “Ismail Kadare, ky çlironjës i Kosovës”.

 

Nga Ylli Polovina

Intervista e Ismail Kadaresë në “La Stampa” të 29 tetorit 1998 ishte një gjest publicistik me shumë diplomaci brenda. Në të gjashtë përgjigjet që i dha gazetarit-shkrimtar Aldo Kaxulo (Aldo Cazzullo), ai ia kishte dalë të harmonizonte me shkathtësi të jashtëzakonshme marrëdhëniet e tij me opinionin publik italian, të cilat më parë, ashtu mbytyrazi, patën reflektuar jo përherë përputhje të plotë.

Tani që ishte shumë afër aksioni luftarak bombardonjës i NATO-s kundër Sllobodan Millosheviçit dhe ky i fundit, si frut të mbresës së shkuar prej moteve kur Jugosllavia e Josip Broz Titos lulëzonte vajtje-ardhjet e trageteve me turistë mes dy vendeve, ende zotëronte në gadishullin Apenin ndonjë mjedis në favor, çdo copëz e mbetur e kësaj nostalgjie të vjetër e vështirësonte mirëkuptimin e plotë mes opinionit publik italian dhe ne shqiptarëve për çështjen e mbrojtjes edhe me armë të lirisë së popullit kosovar.

Secili bashkëkombës që hynte ato kohë mes të dallgëve të përditshme të debatit, në rast se kishte një të shkuar personale sherrxhiu mediatik, ngulç ultranacionalisti apo mossimpati etnike për italianët, na sillte pasoja të mëdha dëmtuese. Gjithfarë lloj protagonistësh me bëma mburracake dhe adhurues bërtitës të tezës së Shqipërisë së Madhe qenë shfaqur edhe në Zvicër e Francë, në Gjermani dhe median e Londrës, ca më shumë lodronin të vetëkënaqur dhe harbutë në televizionet greke.

Këto përbënin bumerang.

Ndërkaq një Ismail Kadare i painfektuar nga kjo sëmundje e keqe shovinizmi ishte për ne, punonjësit e Ambasadës Shqiptare në Romë, një ndihmë e bekuar.

Nuk e fsheh dhe nuk kam rast tjetër më të përshtatshëm për ta pohuar: intervista e 29 tetorit 1998 si ato kohë me punë diplomat, më shkaktoi një ndjesi gëzimi profesional të rrallë. Që prej këtij çasti nuk do ta hiqja nga mendja idenë se ajo intervistë ishte në Itali një piketë e lartë sa një mal, prej të cilës gjatë muajve që do të vinin më pas, deri në largimin e plotë të trupave ushtarako-policore serbe dhe çlirimin e plotë të Kosovës, do të rreshtoheshin njëri pas tjetit, me një rregull shembullor, si armatë, të gjitha shkrimet e tjera kaderianë.

Duhet thënë se autori i këtyre rradhëve të kaluarën e italianëve me ndonjë mbetje hatri ndaj Ismail Kadaresë, të fshehur me kujdes mes bartësve të saj, e pati vënë re jo vetëm në ndonjë bisedë me vendas të mjediseve politike pasfashiste apo edhe (çuditërisht) afër komunistëve radikalë. Humorin e prishur ndaj Kadaresë e shfaqnin edhe italianë që nuk kishin ndonjë prirje të caktuar partiake, por që thjesht nuhatnin se nuk po u hynte dot në zemër.

Tema që e kish lënduar këtë raport mes shkrimtarit të shumënjohur shqiptar dhe një pakice fare të vogël “pepinosh”, ngado që ta shihje, nuk qenë sajimet për ndonjë gjoja deklaratë të tij nga Parisi për Italinë si vend që ndodhej tepër larg Francës së shumëzhvilluar, por saktësisht romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Për ta rrëfyer këtë gjë dhe shpjeguar në ciklin e shkrimeve që po ju paraqitim, do të vëmë në dispozicion të lexuesit të gjithë kohën e nevojshme si edhe provat që zotërojmë. Sidoqoftë nuk mund të kalojmë më tej pa ju paraqitur një fakt të ndodhur në momentet ku po rrjedh kronologjia e këtij rrëfimi: 30 tetor 1998.

Pra të nesërmen e intervistës së baraspeshuar mirë të Ismail Kadaresë.

Indro Montanelli.

Këtë ditë gazetari, historiani, shkrimtari, dramaturgu dhe skenaristi, dijetar i shumëfamshëm, i cilësuar si një ndër italianët më të mëdhenj të shekullit që ato çaste po mbyllej, Indro Montaneli, u shfaq në “La Stampa” me një intervistë të bujshme të titulluar “Shqiptarët”.

Ishte vendosur e gjatë dhe e plotë në faqen 21.

“Keni qenë ndonjëherë në Shqipëri?”, e pyeste që në fillim gazeta. Montaneli u përgjigj menjëherë me fjalët: “Në 1938. Por për këtë është e padobishme të flasësh…” Pastaj shprehu qëndrimin e tij ndaj valës së papushuar të klandestinëve që i zbarkonin Italisë në brigjet e saj të jugut, mes të cilëve kishte me bollëk “shqiptarë, kosovarë dhe kurdë”.

Pastaj Montaneli shpallte opinionin e vet se “Shqipëria do të na kushtojë. Ky është një vend në shpërbërje, pa dobi të diskutojmë tani për këtë gjë. Ne mund të kontribuojmë atje duke vënë ndopak rregull. Si në kohë të shkuara, por tashmë në një mënyrë të ndryshme”.

Vijon intervista, ndërhyn gazeta: “Në 1939 Viktor Emanueli ynë u bë edhe mbret i Shqipërisë dhe e aneksuam. Ç’dreq kolonializëm ishte ky yni? A mendoni se shtetet ish-koloniale kanë përgjegjësi speciale për vendet që pushtojnë?”

Përgjigja e Indro Montanelit: “Një formë të kolonializmit jemi të shtrënguar ta përdorim akoma për të ndihmuar këta njerëz. Por fjala kolonializëm është disi brutale, e pavend: do të thosha mbrojtje kundër përhapjes së barbarisë, një mbrojtje pothuaj misionare…”

Më pas në vazhdim të një pyetjeje tjetër gazetari dhe historiani i shquar italian theksoi: “Prania jonë në Shqipëri është për arsye ndihme, jo pushtimi. Ne duhet t’i ndihmojmë shqiptarët. Por për ta kuptuar këtë gjë më mirë është e nevojshme të kthehemi pak mbrapa në kohë”.

E pyet “La Stampa”: “Për kujtimet tuaja në Shqipëri?”

Indro Montaneli: “Ato nuk hyjnë në punë. Le ta nisim nga vitet e fillimit të pas luftës së parë botërore, nga koha kur Shqipëria nuk qe një popull, por një mozaik etnish dhe besimesh fetare në kërkim midis Jugosllavisë së Karagjeorgjeviçëve, një regjimi serioz por policor, i cili nuk premtonte asgjë të mirë, dhe Italisë që tashmë kishte Dalmacinë dhe Istrian dhe donte të mbante nën kontroll të gjithë Adriatikun. Shqipëria zgjodhi Italinë. Qe një protektorat i butë në krahasim me atë që i erdhi më pas me fashizmin. Shqiptarëve u dhamë hua, i ndihmuam të ruanin pavarësinë, të mbronin kufirin nga Greqia. Me pak fjalë Shqipëria ishte shkallarja që Italia kishte në Ballkan. Fashistët bënë një lojë më të ashpër. Për ta besuar Evropa se qenë të fortë, përplasën menjëherë grushtin mbi tavolinë dhe thanë: “Kjo është plaçka ime”. Por shqiptarët ishin në grindje të vazhdueshme, nuk ia dilnin dot të ngrinin një qeveri. Më në fund, në sajë të ndihmës tonë, doli Zogu, i cili qe një askushi, ishte vetëm një dhelparak i madh dhe kapo banditësh, i cili i shitej sa njërës dhe tjetrës fuqi. E bëmë president republike”.

“Dhe kjo lëvizje solli qendrueshmëri?”, e pyet gazeta.

“Zogu qëndronte me Italinë, u përgjigj Montaneli, por nën rrogoz bënte pazare me qeverinë jugosllave. Një kryetar i vjetër qeverish, Stojadinoviç, më tregoi një ditë-e takova më pas, një ditë, edhe në Argjentinë-që kur Zogu bënte bisedime sekrete vinte mbi tryezë një grumbull me monedha floriri dhe sa më tepër kohë kalonte, sipas fruteve të marrëveshjes që priste, me një “lugë” nga ato të lojrave të kumarit, t’i afronte apo largonte paratë. Kështu italianët në 1928 patën një ide të bukur, një iluzion se mund të siguronin besnikërinë e tij absolute: e bënë Ahmet Zogun mbret. Qe një monarki pa asnjë bazë. Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë mbretëri, edhe në kohën e sundimit turk. Ndërkaq këtë ide mbretërimi Zogu e mori shumë seriozisht, madje deshi të martohej edhe me një princeshë italiane nga dera jonë mbretërore. Por Musolini dhe Viktor Emanueli i thanë jo, ishte një gjë që nuk mund të bëhej. Atëherë ai u martua me një fisnike hungareze, me kushërinj Asburgët, Geraldinë Apponui, krejtësisht e varfër.  Çfarë jete bëhej në Tiranë! Prej operetash. E shkreta Geraldinë u gjet në një oborr të huaj për të, sepse atje dominonin të motrat e Zogut, të cilat bënin vajtje-ardhjet të veshura me uniforma koloneli, madje edhe me këpucë dhe helmeta të tilla. Festave vallzohej vals, por përreth binte erë qepë dhe hudhër. Unë zbavitesha shumë”.

“Pse, ju ishit atje?”

“Sepse çdo ministër shqiptar kishte një këshilltar italian, i cili qe ai ministri i vërtetë. Këshilltari i ministrit të Arsimit ishte babai im, Sestilio Montaneli, në formë të një inspektori ministerial. Mëkëmbësi i mbretit tonë në Tiranë, Françesko Jakomoni, i propozoi të më sillte mua atje për të shkruar një libër jo politik mbi Shqipërinë. Vajta. Shqipëria qe një vend për gjahtarë. Shkova drejt bregdetit, ku çfarë gjallesash të shijshme nuk kishte, vajta edhe nëpër male, parajsa të vërteta me kaproj e derra të egër…Në një fshat takova edhe një analfabet, por që më tregoi legjenda të mrekullueshme. Më përgatiste gjellë me fasule dhe bollgur, grurë të pjekur. Më në fund e publikova librin: e titullova “Shqipëria, një mijë e një netë”. Por nuk u rishtyp kurrë. Ishte viti 1939.

“Viti i zbarkimit tonë në Shqipëri. Dërguam tridhjetë mijë ushtarë”.

“Nuk pati të vdekur. Ishte një zbarkim qetë e qetë. Ne e morëm Shqipërinë si për të barazuar Gjermaninë, e cila aneskoi Austrinë dhe Çekosllovakinë, ndërkohë që Zogu po vazhdonte lojrat e tij me Jugosllavinë. Shqiptarët na pritën shumë mirë: qemë vëllazëruar. U dhamë thasë me para, u hapëm shkolla, veçanërisht fillore e shtatëvjeçare, sepse të mesmet i ndiqnin në Itali. Kjo është një trashëgimi që ekziston edhe tani. Në televizion po dëgjojmë ministrin e tyre të Brendshëm Petro Koçi që flet italisht”.

“Por lufta partizane kundër nesh nuk ishte e gjë e lehtë”.

Pas kësaj pyetjeje të fundit të “La Stampa”, të 30 tetorit 1998, ja edhe përgjigja mbyllëse e Indro Montanelit: “E komandonte një jo shqiptar, por ishte komunist, kryetari i ardhshëm i Shtetit, Hoxha. Shqiptarët nuk na kanë urryer kurrë. Edhe vetë Kadare në romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur, shkruan vetëm për Batalionin tonë Blu, një ndjekës dhe gjuajtës i partizanëve shqiptarë….Por mjaft tani, ta mbyllim. Dihet si shkuan punët më pas, si përfunduan”.

Edhe pse në këtë intervistë Montaneli dëshmon se në kulturën e tij historike për Shqipërinë e shekullit të shkuar ka disa gropa pasaktësie, gjithsesi kush ka lexuar librin e tij “Një mijë e një netë”, e kupton se ai e do këtë vend. Të paktën nuk e përbalt, nuk ia dhunon imazhin. Në fund të fundit libri u botua kur Benito Musolini qe shprehur me direktivën politike “Shqipëria është në zemrën time”. Indro Montaneli, dihet, me gjithë ndonjë rebelim, i ka qendruar përgjithësisht afër fashistëve.

Mund të hamendësojmë se vlerësimi shumë pozitiv që ai i bën Ismail Kadaresë, duke e cituar atë si në thelb një dashamirës të Italisë, ka të ngjarë të jetë ndikuar nga intervista e shkrimtarit shqiptar në të njëjtën gazetë njëzetë e katër orë më parë.

Ndërkohë, duke ndjekur rrjedhën kronologjike të ngjarjeve të pas shtatorit të dhunshëm të Tiranës dhe dy vrasjeve të moskuptuara veç për ndonjë lidhje ndikimi dekurajues për çështjen e çlirimit të Kosovës, pa kaluar ende dy javë nga intervista kyçe e Kadaresë, në 13 nëntor 1998, në krye të faqes 21 të po të njëjtës të përditshme italiane, u botua shkrimi “Një ylber në Tiranë”. Nëntitulli qe: “Kadare dhe Kodra yje ndërkombëtarë”. Autor ishte Marko Neiroti, përveç se gazetar që nga viti 1978 i “La Stampa”, edhe autor librash të dëgjuar, përkthimesh po ashtu. Neiroti pati fituar në vitin, kur botonte këtë shkrim, 1998, edhe çmimin fort të spikatur ndërkombëtar për gazetarinë “Sant Vincent”.

Ai e vendoste temën e artikullit të vet mbi idenë se jo vetëm gomonet qenë një urë lidhjeje mes dy vendeve, por edhe kultura. Pastaj duke nisur me një referim vargjesh të poetit Bardhyl Londo, Marko Neiroti kishte përshkruar të gjithë veprimtarinë tre ditore të aktivitetit “Shqipëri-Itali: një horizont i përbashkët kulturor”, kryer në Tiranë.

Duke u përqëndruar tek nisma e piktorit Gaetano Grillo, ai e pati pasqyruar shumë hollësisht ngjarjen diturore, duke cituar organizatorë e rëndësishëm të saj, siç ishin presidentët e të dy vendeve Oskar Luixhi Skalfaro (Oscar Luigi Scalfaro) dhe Rexhep Meidani, e deri në përmendjen e emrave të të gjithë artistëve që ishin figurat kryesore të asaj veprimtarie.

Rishënojmë dhe theksojmë: Duke spikatur si kurorë Ismail Kadarenë dhe Ibrahim Kodrën.

Shkrimi shoqërohej me një foto zbarkimi klandestinësh shqiptarë në brigjet e Pulies si edhe me një pikturë të Lumturi Blloshmit. Përfituar nga atmosfera mirëdashëse kulturore autori shprehej me fjalët më të bukura për Tiranën.

Me pak fjalë pas rëndimit të imazhit të Shqipërisë me ngjarjet e shtatorit, djegie, tanke në rrugë, pushtime dhe mitralime të institucioneve shtetërore, kthesa e përmirësimit në të rëndësishmen gazetë “La Stampa”, por edhe në shtypin italian nisi edhe me intervistën e Ismail Kadaresë të 29 tetorit 1998.

Janë shumë të rëndësishme raportet e njohjes së ndërsjelltë midis italianëve dhe shkrimtarit të shquar shqiptar dhe, e përsërisim, nuk mund të kuptohet qartësisht e plotësisht nga lexuesi roli i tij në gjashtë ditët e mbërritjes dhe të qëndrimit në Romë për të marrë çmimin letrar “Feronia”, në maj 1999, pa i paraqitur tërë historinë e mëparshme të tyre.

Në shkrimin e herës së shkuar ju bëmë të ditur se në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, i datuar 1 korrik 1976 dhe me numrin 815, gjendet një radiogram i koduar i ambasadorit shqiptar në Romë, Pirro Koçi, dërguar kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë, Javer Malo. Atje thuhej: “Dallongaro mendon të vijë aty nga mesi i shtatorit. Premtoi se do të shkruajë në mënyrë objektive në revistat “Il settimanale” dhe “Igente” e “Relazioni internazionali” dhe mund të bëjë edhe një koment në programin e dytë “Radio Roma”. Çështjet përse interesohet do të na dorëzojë më parë me shkrim. Me që ka treguar interes për letërsinë tonë, e pyeta në se mund të marrë përsipër botimin e një vepre. Më tha se i ka pëlqyer shumë “Kështjella” e Kadaresë dhe se do të bëjë çmos për t’u botuar nga Ruskoni”. Pak më tej mëshohet: “Mendojmë që nëpërmjet tij të tentojmë botimin e ndonjë vepre letrare. A mund të na dërgoni një kopje përkthimit romanit “Njeriu me top?”

Në 14 korrik Javer Malo dërgoi në adresë të ambasadës shqiptare në Romë një mesazh, i cili komunikonte se “Dakord që Dallungro të vijë këtu nga mezi i shtatorit. Romani “Njeriu me top nuk është përkthyer akoma. Me t’u përkthyer do tua dërgojmë”.

Dy muaj më pas, në 14 shtator, drejt Javer Malos ambasadori Pirro Koçi nisi këtë radiogram të ri: “Dall Ongaro mori përgjigje në parim pozitive nga Ruskoni për botimin e romanit “Kështjella”. Mbeten të konkretizohen. Jemi informuar sikur romani është botuar aty në italisht. Kjo natyrisht vështirëson çështjen, Në rast se është e vërtetë mirë do të ishte që Dall Ungaro të mos e merrte vesh. Mendoj të pranohet ardhja e tij më 21 shtator. Kështu do të shkruante para dhe pas kongresit. Këto ditë, duke marrë shkas nga Panairi i Barit, do të shkruajë për projektdirektivat e planit”.

Pak ditë më vonë, në 25 shtator 1976, Pirro Koçi i nisi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, radiogramin e koduar, me numrin 1164, në të cilin thoshte: “Na njoftoni kur mund të na dërgohet teksti i plotë i përkthyer i romanit “Njeriu me top”. Mbrëmë ftova për film Rafaelo Uboldin dhe Franko Pino që ishin vjet aty dhe bisedova gjatë e gjerë për punën që mund të bëjnë. Uboldi ka njohje me Mondadorin dhe do t’i propozojë botimin e romanit. I dhashë pjesët e dërguara. Ka shpresë se mund të realizohet. A mund të na dërgoni një kopje frëngjisht të “Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur”? E ka pëlqyer shumë atë dhe mendon se Mondadori mund ta botojë.

Me anë të tij do të hyjmë në lidhje direkte me këtë shtëpi. Mbase do të ishte e leverdisshme që vitin e ardhshëm të ftojmë për vizitë ndonjë prej saj. Uboldi premtoi të bëjë një reçension në “Epoka” për veprën e 19-të të shokut Enver. Të dy me Pinon po përgatisin një shërbim Shqipërisë për botim në “Ekspreso” . Një tjetër do ta bëjnë mbas kongresit. Kemi shpresë të botohet. Po e ndjekim punën e tyre. Thanë se nuk e kemi shpërblyer akoma vizitën që bëmë në Shqipëri”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 5 nëntor 2019

Comment

*