VLERËSIMET PËR ARRITJET TUAJA JETËSORE, NË ÇDO MOSHË TË BËJNË TË LUMTUR

Këtë e vura re edhe tek bashkatdhetari ynë nga Fieri, z. Hetem Ferko, të cilin e takova pak ditë pasi ishte kthyer nga Shqiperia në fund të gushtit të këtij viti. Sapo i ka kaluar të 70-at, trup madh e serioz, i kujdesur për veshjen e tij por edhe me shqetësimet që të sjell sëmundja e diabetit në këtë moshë. Dukej që nuk mund ta fshihte kënaqësinë e pushimeve në vendlindje gjatë kësaj vere, megjithëse situata pandemike ishte pengesë gjithandej.
E kisha ndjekur Hetemin në një program televiziv në RTSH3 i ftuar nga gazetari i mirënjohur sportiv z. Defrim Methasani, nga ku publiku njohu sportistin e mundjes të rreth 25 viteve aktivitet si lojtar dhe trajnier. Me vete kishte edhe dy Certifikata Mirënjohje të cilat i ishin akorduar nga Shoqata Kombetare e Mundjes me Medaljen e Merites “Nderi i Mundjes Shqiptare” dhe nga Federata Shqiptare e Mundjes me Certifikaten e Mirenjohjes “Nderi i Mundjes Shqiptare”. Dhe në thelb, motivacioni i këtyre vlerësimeve ishte “…Mundës e trainier i shquar, …përfaqësim dinjitoz në aktivitetet kombëtare…”.
U ndjeva mirë në distancë nga kjo intervistë televizive e Hetem Ferkos, pasi për njerëzit që njeh, banon prej vitesh në të njëjtën lagje këtu në emigracion dhe shpesh takohesh e ulesh në kafe së bashku, sigurisht ju dëshiron vetëm të mira e suksese në cdo drejtim. Por më tej mendova, duke marrë edhe mirëkuptimin e tij, pse të mos e ndajmë edhe me komunitetin tonë në Filadelfia e më gjërë, pak më shumë informacion se kush është e nga vjen Hetemi. Ai ka lindur më 1949 në qytetin Fierit nga një trung familjar i madh e i njohur. Si shumë shqiptar të tjerë edhe ai është rritur në një familje të cilës shteti i asaj kohe i konfiskoi jo pak pasuri, ndërkohë që nëna e Hetemit vinte nga një familje që kishte kontribuar me pjesëmarrje të drejtë për drejtë për luftën nacional-clirimtare. Prandaj, vazhdon ai të tregojë, unë jam rritur mirë me miq e shokë, pavaresisht se asnjëhere nuk u zgjodha për konkurime jashtë shtetit, megjithëse e meritoja nga arritjet që kisha.
Në një bisedë që kisha me sekretarin e Shoqates të Mundjes ne Shqiperi, z. Xhelil Cibaku, midis të tjerave ai thotë se Hetemi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit të mundjes, që nga viti 1963 e deri në 1990. Ai ka qenë i aktivizuar dhe ka shkëlqyer me klubin sportiv Partizani para viteve ’70, ndërsa pas këtij viti në klubin sportiv të Fierit për pesëmbedhjetë vite me radhë ka korrur suksese duke alternuar në fitore vendet e para e të dyta në grup e në shkallë kombëtare.

Në vitin 1986 si trainier i të rinjve të Fierit, ekipi zuri vendin e parë në vend, ndërsa pas këtij viti deri në ’90-tën drejtoi si trainier ekipin Apollonia të mundjes, duke e ringritur e duke e ngjitur në vendin e dytë në kampionatin kombetar. Këto arritje kërkonin vullnet e punë të madhe, të cilat me sa duket ishin edhe cilësitë e Hetem Ferkos.
Këto cilësi e shoqëruan edhe gjatë viteve të qëndrimit këtu në Filadelfia, ku që nga viti 1995 është vendosur dhe banon, së bashku me bashkëshorten znj. Shqiponja Ferko e fëmijtë e tij. Punoi këtu fort për mbi 20 vite ndërsa tani është në pension. Por jeta ka edhe befasitë, edhe dhimbjet. Fatkeqësia që e goditi para tre vitesh nga largimi prej kësaj bote i djalit të madh, Julianit, papritmas e në moshë shumë të re, ishte e madhe. Por tashmë që nipat e mbesat po rriten shpejt e po shkollohen, me kujdesin edhe të gjithë familjes së madhe, për gjysh Hetemin është disi ndryshe… Djali tjetër, Arbëri, i urtë e me kulturë po ecen mirë me një bisnes të tij.
Me Hetemin, kemi biseduar e debatuar shpesh edhe për veprimtarinë e shoqatës tonë “Bijte e Shqipes”, për të cilën kritikat e tij të drejta apo të pa drejta, kanë ardhë duke u ulur. Kjo sepse, ai si dhe shumë të tjerë po kuptojnë që kjo shoqatë është një Qendër për të bashkuar e jo për të ndarë shqiptarët, për të afishuar vlerat e secilit e për tu gëzuar së bashku për to, për të trashëguar historinë, kulturën e gjuhën shqipe ndër fëmijtë tanë, për të festuar së bashku por edhe për ti qëndruar afër njeri -tjetrit në fatkeqësi. Certifikatat e Mirënjohjet e Hetemit në fushën e sportit, janë vlerë edhe për komunitetin tonë, mburrje e krenari për të, orientim edhe për brezin e ri. Sa më shumë tituj e vlerësime jetësore të kemi në komunitet, aq më shumë emri i tij (i komunitetit) rritet, aq më shumë bëhet ë njohur në komunitetet e tjera. Prandaj duke e uruar sot z. Hetem Ferko për kontributin e tij që ka dhënë në sportin e mundjes dhe për Certifikatat e akorduara si Nderi i këtij sporti, të shpresojmë e të urojmë për të tjerë bashkatdhetarë me të cilët të ndajmë gëzime, arritje e vleresime të tilla.

Tajar DOMI

Filadelfia, me 14 Tetor 2020

Comment

*