Vrasja e porositur e një rilindasi

Frank Shkreli

Të shtunën që kaloi në sallën “Rrok Mirdita” të Katedralës Shën Pali në Tiranë, seli e Arqipeshkëvisë Metropolite Tiranë-Durrës, u promovua vëllimi i II i trilogjisë, “I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i Kishës Martire”, me autorë Nikollë Loka, Av. Alfred Duka dhe Ing. Nikolin Kurti.  Merrnin pjesë personalitete të jetës shoqërore, fetare dhe akademike në Tiranë.  Promovimin e hapi nipi i Dom Shtjefnit, Nikolin Kurti, pas të cilit përshëndetën Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Charles Braun, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara dhe Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo. Një parashtresë e shkurtër historike u bë nga Nikollë Loka, ndërsa diskutimin kryesor e mbajti Av. Alfred Duka. Pati dhe diskutime nga të pranishmit.

Vëllimi I i librit kushtuar Dom Shtjefën Kurtit është botuar dy vjet më parë dhe është promovuar – ndër të tjera – edhe në Qendrën “Bogdanipolis”, të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, Prillin e vitit të kaluar.  Siç dihet tani, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri prej 38-martirëve shqiptarë, viktima të pafajshme të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës, të shpallur si të tillë nga Papa Françesku.  Don Shtjefën Kurti, prift katolik nga Ferizaji i Kosovës, pësoi martirizimin për shkak se kishte pagëzuar një foshnje, në kohën kur një vepër e tillë kishtare ishte e ndaluar nga regjimi komunist në Shqipëri.

Në promovimin e vëllimit të II të shtunën në Tiranë, në lidhje me trajtimin juridik të dënimeve të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist,  ka diskutuar Av. Alfred Duka, i cili evidentoi shkeljet nga ana e gjykatës të vet ligjeve të kohës, duke kërkuar ta përzienin klerikun me jetesë të kristaltë, në çeshtje ordinere, në lidhje me disa vjedhje që kishin ndodhur në Gurzë.  Dom Shtjefni është dënuar me porosi nga lartë, ndërkohë që për dënimin e tij interesohej vetë Enver Hoxha.  Diktatori Hoxha, sipas tij, kishte dërguar gjoja “me punë fizike” në Gurzë, afër Krujës, njërin nga sekretarët e tij, i quajtur Vahid Lama, i cili e ndoqi procesin gjyqësor të Dom Kurtit, në çdo seancë.  Shkeljet e gjykatës së Krujës u përsëritën edhe në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, firmosi dënimin me vdekje për Dom Shtjefën Kurtin, u tha në promovimin e vëllimit të II të librit kushtuar martirit shqiptar. Për më tepër, në seancën e mbajtur fund javën që kaloi, u thekësua se as sot pas rreth 50 vjetësh nuk ka të dhëna se ku gjenden eshtrat e këtij kleriku martir.

Ja disa të dhëna bazë biografike mbi të Lumin Dom Shtjefën Kurti, misionar i lirisë së shqiptarëve:  I Lumi Dom Shtjefën Kurti përfaqëson brezin shqiptar të idealeve të mëdha të ribashkimit kombëtar dhe të aspiratave për jetë të lirë. Ai ishte meshtar, mësues, veprimtar shoqëror, i flijuar me vetëdije për kombin e vet. I lumi Shtjefën kishte lindur në Prizren, kishte kaluar fëmijërinë në Ferizaj, pastaj rininë e parë në Shkodër dhe rininë e dytë në Insbruk dhe në Romë, për t’u kthyer fillimisht si krahu i djathtë i klerikut të shquar, Imzot Lazër Mjedës në Shkup, ku i ra fati të jetë rrëfyesi i parë i Nënë Terezës.

Pastaj Dom Shtjefni kaloi me shërbim në Ferizaj; ishte themeluesi i famullisë së Shën Rrokut në Novosellë; mësues i gjuhës shqipe në shkollën katolike shqipe në Ferizaj dhe mësimdhënës i lëndës së besimit në shqip, në shkollën serbe të Novosellës ku, meqenëse i zhvillonte mësimet në gjuhën amtare, mori kërcënime nga serbët. Bashkë me Dom Gjon Bisakun dhe Dom Luigj Gashin e ngritën zërin në mbrojtje të bashkombasve të vet me memorandumet e tyre dërguar deri në Lidhjen e Kombeve, ku dhanë alarmin mbi çfarë po ngjiste në Jugosllavinë e atëhershme kundër shqiptarëve autoktonë. Këta tre klerikë shqiptarë nga Kosova, i treguan botës se çështja shqiptare nuk ishte një çështje fetare, por kombëtare, pasi qeveria serbe po përdorte metodat më brutale të vrasjeve dhe terrorit për të ndryshuar balancat etnike në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë.

Dom Shtjefën Kurti në Shqipëri punoi s famullitar në Kurbin, Skuraj dhe Gurzë, ku meremetoi kishat ekzistuese dhe ndërtoi kisha të reja. Më vonë ai u vendos në Tiranë, duke qenë dhe Dekan i Dekanatit të Tiranës. Nga ky pozicion, aki iu përkushtua fesë dhe komunitetit katolik, duke dhënë kontribute të rëndësishme në fushën fetare, arsimore dhe kulturore. Këtë veprimtari e vazhdoi dhe në vitet e pushtimit fashist.

Dom Shtjefni është njëri ndër ata klerikë që iu përmbajtën me rigorozitet misionit të tyre si klerikë dhe nuk u angazhuan në politikë. Nga pozicioni i tij si klerik ndihmoi në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dom Shtjefën Kurti ishte përfaqësues tipik i aspiratave shqiptare për lidhje me Perëndimin dhe u ndëshkua si i tillë, në kushtet kur qeveria komuniste kishte hyrë në aleancën e shteteve komuniste sllave.  Ai, në zbatim të ligjeve të kohës, kur në letër, formalisht, “lejohej liria e besimit dhe e organizimit shoqëror”, punoi për ruajtjen e Kishës nga ndikimi due ndërhyrjet e shtetit dhe ishte ndër nismëtarët për krijimin e një partie demokristiane. Ai kishte menduar se ishte në të mirë të vendit krijimi i një partie të tillë. Megjithëse në kuadrin e sistemit shumëpartiak, ndonëse një veprim i tillë nuk u ndalua me ligj deri në vitin 1946, kjo nismë e tija u konsiderua si tradhëti e lartë ndaj Atdheut.

Sipas Nikolin Shkurtit, njërit prej autorëve të librit, Dom Shtjefni vazhdoi të mbante lidhje me misionet perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej njëzet vjetësh, pasi: Nuk e pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga Kisha Katolike Universale; dhe se luftoi për krijimin e një opozite politike ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me përfaqësues të shteteve perëndimore. Duhet theksuar se pavarësisht terrorizmit shtetëror ndaj klerit katolik, i lumi Dom Shtjefën Kurti refuzoi kategorikisht dhunën, duke i qëndruar besnik misionit kristian të sakrificës deri në vetëflijim. Besnik i bindjeve të veta, ai do të shkonte përsëri në një gjyq farsë, prej nga do të dënohej me vdekje.

Jeta, veprimtaria dhe vdekja e Dom Shtjefën Kurtit shërben edhe sot si shembull dëshmitar i gjallë i dashurisë dhe besnikërisë ndaj fesë dhe Atdheut, në Kosovë dhe në Shqipëri si dhe anë e mbanë trojeve shqiptare dhe kudo që ka shqiptarë. I pavdekshëm qoftë kujtimi i tij sot dhe gjithmonë!

 

 

* * *

Kujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973

Ish-Udhëheqësi shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha, duke folur në demostratën para OKB-së, 1973, e komunitetit shqiptaro-amerikan për të protestuar mbi vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit.

Demostrues me plakarta: “Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi  që është pushkatuar nga regjimi komunist” ; “Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirje të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…” 

Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1973

Duke argumentuar me një police të Nju Jorkut gjatë demonstratës kundër vrasjes së At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – para selisë së Misionit të Shqipërisë Komuniste pranë OKB-s.

Comment

*