Vreshtaria “Foleja e Shqiponjës”, një kënd i bukur i universit shqiptar në SHBA

Neviana dhe Ardiani kanë krijuar një biznes që prodhon verëra, të frymëzuara nga simbole shqiptare dhe histori të mitologjisë së lashtë –  të gjitha në një vend ku mund të arratisesh nga realiteti ynë i përditshëm

 

Nga Ruben Avxhiu

Ka pasur një numër temash interesante nga komuniteti në këtë javën e fundit.
Mes tyre ia vlen të përmendet një biznes i ri, një vreshtari e themeluar nga çift shqiptar, në SHBA.
E quajtur Aquila’s Nest (Foleja e Shqiponjës), ajo ndodhet e strukur në një zonë kodrinore, afër Newport, Connecticut, në Sandy Hook. Vreshtaria e re ka tërhequr vëmendjen e të gjithë medias lokale. Tani zv-guvernatori i shtetit dhe departamenti i turizmit në Connecticut kanë treguar interes të madh.
Neviana dhe Ardiani janë nga Shqipëria. Janë të dy inxhinierë që punojnë në profesionin e tyre me kohë të plotë. Ky biznes ishte rezultat i pasionit dhe dashurisë për verërat dhe atdheun. Lidhja me atdheun por edhe një element nga mitologjia e lashtë i shtynë që ta quajnë Foleja e Shqiponjës këtë kënd të university. Në “Iliadën” e Homerit, shqiponja njihet si shpendi që transporton rrufetë e Zeusit, si dhe djalin Ganimed në Olimp për të mbajtur kupën e verës për zotat. Zeusi i bëri vend në qiell si Akuarius (mbajtësi i kupës në Latinisht) i mbrojtur edhe në ditët tona nga krahu i kostelacionit të Akuilës (shqiponja në latinisht).
Kjo histori përshkruhet në faqen në internet të vreshtarisë, të cilën ma dërgoi Neviana, mbiemri i të cilës është Zhgaba. Një tjetër emër për shqiponjën në shqip. Ndërsa Ardiani ka lindur në shenjën zodiakale të Akuariusit (Ujorit).
Njëfarësoj fati i kësaj sipërmarrje të re ka qenë e shkruar në yjet për dy bashkëshortët shqiptarë që u frymëzuan për t’i bërë realitet në Tokë legjendat që ndjerëzit kanë thurrur duke parë qiellin. Se nuk mbaron këtu. Gjyshi i Adrianit ka jetuar për gati 40 vjet në Australi, ku fiset e para shihnin te Konstelacioni “Korona Borealis” një pikëtakimi për burra e gra që mblidheshin për të diskutuar çështje të ekzistencës.
Kjo fole shqiponjash në kodrat e bregut verilindor amerikan është themeluar me idenë se një gotë vere është gjithmonë një justifikim i mirë për biseda të çiltra në mos të thella, për veten dhe jetën tonë.
Kjo vreshtari është në fund të fundit një biznes, por verërat sjellin me vete histori të lashtë, vreshtaria është konceptuar si një vend për të kundruar konstelacionet në qiell. Gotat e verës, afër vatrës ngrohëse e intime, e yjet në qiell dhe në sy.

Kjo është të paktën hera e tretë që shkruaj për shqiptaro-amerikanët dhe vreshtarinë. Rustem Gecaj ka krijuar një sukses të madh në Kosovë, me firmën e njohur “Stone Castle” (Kështjella e Ngurtë) me investimin e madh në vreshtat afër Rahovecit.
Ekrem Bardha, një tjetër ish-pronar i gazetës “Illyria” që zbuloi pasionin e tij për verërat dhe ka investuar për të ngritur atë që njihet sot si “Kantina Bardha”. Këto janë verëra që synojnë edhe tregun ndërkombëtar prodhime me të cilat shqiptarët mund të krenohen.
Mirëpo, kjo nismë e tretë është diçka tjetër. Kësaj here nuk janë shqiptarë të suksesshëm që krijojnë një vreshtari në atdheun e lindjes. Por janë shqiptarë nga Shqipëria që kanë ardhur në SHBA dhe kanë krijuar një vreshtari shqiptare këtu në Amerikë.

Për kuriozitet, Vreshtaria “Foleja e Shqiponjës” shtrihet në më shumë se tre hektarë të mbjella, ku puna ka nisur që në 2016. E gjithë hapësira është 41 akra, apo 16.5 hektarë. Pas tri vjetësh kujdesjeje kanë pasur vjeljen e parë në vjeshtën e vitit 2019.
Një listë jo e plotë verërash në prodhim e sipër vijon si më poshtë. Disa janë gati për t’u shijuar e blerë që tani:

KUQE
12 – 18 muajshe

Red Blend (gati)
Cabernet Franc
Merlot (gati)
Baco Noir

BARDHA
6 – 12 muajshe

Dry Riesling (gati)
Semi Dry Riesling
Moscato (gati)
Cayuga White
Traminette

ROZÉ
Dry Rose (gati)

Një prej verave më të dashura për ta quhet “Queen of Illyria” (Mbretëresha e Ilirisë). Duhet pirë vetëm duke lexuar gazetën “Illyria”. Bëj shaka sigurisht, po nuk është për t’u përjashtuar. Një tjetër quhet “Zana e Malit”.
Bien në sy dizajni i bukur i etiketave të shisheve, vepër e mjeshtrit të grafikës nga Shqipëria, Bledi Rusi.
Nuk mund të them ende ndonjë gjë për shijen e këtyre verërave, mirëpo emrat padyshim pikojnë mall e frymëzim shqiptar.
Sadik Elshani kishte një shkrim të bukur përpara disa ditësh në gazetën “Illyria” për mallin e shëtitjeve në stinën e vjeshtës, nëpër vreshtat mahnitëse të Suharekës/Therandës.
Po i shikoja disa nga këto fotografitë e vreshtave të çiftit shqiptar dhe pata një ndjesi të ngjashme. Këto janë këtu, në anën tonë të Oqeanit dhe të hapura për t’u vizituar. Epidemia ka kufizuar vetëm numrin e atyre që mund të rezervojnë një qendrim në fundjavë, në mjediset e mbyllura të vreshtarisë. Në ditët e tjera mund të shkohet në çdo kohë. Mund të bëhen vizita e eskursione ku mund t’ju tregojnë vreshtat e llojet e rrushit që përdoren për verërat.
Neviana dhe Ardiani kanë planifikuar edhe një veprimtari për Ditën e Pavarësisë.

Për më shumë mund të mësoni këtu: https://www.aquilasnestvineyards.com

Comment

*