Vuçiq: Dialogut me Kosovën i kthehemi pasi të hiqet taksa

Munih, 14 shkurt 2020 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme t’i kthehet dialogut me Kosovën, sapo të hiqet taksa.

“Kur të hiqen taksat ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve”, ka shkruar Vuçiq në rrjetin social Instagram.

Vuçiq i ka bërë këto komente të enjeten në mbëmje, pas takimit me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Ai ka thënë se ambasadori Grenell është shumë i vendosur për heqjen e taksës.

“Kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë, i cili për ne kurrë nuk është i lehtë, por unë jam i kënaqur që Richard Grenell është aq i vendosur për heqjen e taksës”, ka shkruar Vuçiq.

“Për ne nuk ka biseda të lehta e këtë e kuptojnë njerëzit, por ne duhet ta ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe të sigurojmë zhvillim ekonomik duke mbrojtur interesat nacionale vitale”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka paralajmëruar se sot në Mynih do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për linjën hekurudhore Prishtinë – Beograd.

Më 27 janar, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia janë takuar në Berlin të Gjermanisë me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell, për të diskutuar rreth marëveshjes për riaktivizimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Beograd. (r.m.)

Comment

*